Kryeministri Edi Rama nga kantieri i hapur për lagjet e reja në Tiranë sulmoi sërish me akuza opozitën. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se ata janë forca e shëmtimit dhe rrëmujës, siç e quan ai.
Më tej, kryeministri iu përgjigj kreut të PD, Lulzim Bashës, i cili i kërkon vazhdimisht të rrisë numrin e testimeve. Sipas Ramës, infeksioni nuk është mundur të ndalohet edhe në vendet e perëndimit dhe nuk ka rëndësi nëse bën më shumë apo më pak testime. Sipas kryeministrit qeveria është e qartë dhe e di se çfarë bën.
LEXO EDHE: Rama: Tërmeti një e keqe e madhe që solli një mundësi për lagjet e lëna në harresë
Rama thotë po ashtu se Basha thotë përralla, pasi nëse paratë shpenzohen sot për sot, nesër do vdesin njerëzit rrugëve nga papunësia.
“Këta janë forca të shëmtimit dhe rrëmujës. Për këta rrëmuja është liri dhe papastërtia është demokraci. Për ne jo. Por jo vetëm atje tek hyrja e Tiranë. Por edhe në Unazën e Tiranës vijon puna. Por edhe jashtë Tiranës vijon puna. Ne do të hapim kantierin më të madh publik në historinë e këtij vendi me segmentin më të rëndësishëm të korridorit blu, nga Miloti në Fier.
Pa asnjë diskutim do të çojmë deri në fund 55 kantiere në të gjithë Shqipërinë për ujin e pijshëm në të gjithë Shqipërinë. Kush është mësuar të flejë gjumë si miku im Luli dhe ti gjejë gjërat gati nga të tjerët, nuk e kupton dot se nëse ti ndalon punën dhe investimet dhe çfarë parash ke i shpenzon të gjitha sot për sot nesër jo vetëm që të vdesin rrugëve njerëzit, por familje të tëra të panumërta vdesin nga papunësia totale. Si u bëkan këto? Po kur thotë ndalojmë infeksionin. Bëj testime më shumë? Pse nuk e ndalon Franca infeksionin, pse nuk e ndalo askush infeksionin nëse i bën më shumë apo më pak. Dhe kush jemi ne, pak politikanët që të vendosim sa testimet bëhen. Ne kemi detyrimin tu përgjigjemi atyre që janë në krye të detyrës. Qeveria është e qartë dhe di se çfarë bën”, tha Rama. g.v/abcnews.al