Pas përfundimit të pandemisë së COVID-19, godina e spitalit Infektiv do të shembet për t’u rindërtuar nga fillimi. Lajmin e ka bërë me dije kreu i qeverisë Edi Rama gjatë vizitës së tij ditën e sotme në ambientet e këtij spitali me rastin e festës së Krishtlindjes. Rama deklaroi se kjo godinë do e mbyllë në mënyrë të lavdishme misionin e saj.
“Mesa duket do ta kaloni me shumë sukses dhe do mbetet e shënuar në karrierën tuaj profesionale. Ju do jeni krenarë për veten dhe Shqipëria do të jetë krenare për ju. Edhe njëherë çdo të mirë dhe paçi gjithmonë aq sa keni në shpirt e në zemër. Shumë faleminderit.
Kjo godina do e mbyllë në mënyrë të lavdishme misionin e vet dhe pas kësaj lufte do bëhet godina e re. Mbyllja e luftës do të jetë me ceremoni. Profesoresha me profesor Tritanin të dy me susta në dorë për t’i vënë dinamitin dhe për të filluar ndërtimin e kësaj pjese”, u shpreh Rama.
Ai deklaroi se në muajin Janar do të nisë vaksinimi për mjekun ndërsa zbuloi se Bullgaria ka premtuar se do sjellë 100 doza vaksinë për Shqipërinë ashtu sikurse për Maqedoninë e Veriut.
“Ndërkohë që e preku pak ministrja. Unë jam shumë i kujdeshëm me fjalët por jemi shumë afër përmbylljes së një marrëveshje me disa komponentë për vaksinën. Në fillim do të kemi edhe dozat e para që janë për ju dhe do hidhet me short nëse do e bëjë përpara Najada apo ti Tritan. Është shumë situatë e vështirë sepse edhe shtetet e mëdha dozat që po marrin janë shumë më pak se ato që kishin parashikuar pasi SHBA ka vendosur ndalimin e eksportit të çdo doze. Bullgaria do japë për Maqedoninë e Veriut njësoj si për ne”, tha Rama.

