Mentor Kikia
Shqipëria nuk do ta merrte hapjen e negociatave sot në Bruksel, pasi Bullgaria nuk kishte arritur dot një marrëveshje për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Kryeministri ynë ishte i sigurt për JO-në dhe i qetë se ajo kishte një arsye tjetër, jo atë të plotësimit të kushteve. Ndaj dhe ai fillimisht njoftoi bojkotimin e samitit bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë. Dhe më pas, në çdo takim, edhe në konferencën për shtyp, ai u shfaq ballë-lart, ironik, cinik, hakmarrës, i lig…
Nuk kurseu asgjë ndaj burokratëve në Bruksel dhe vendeve anëtare. Ishte fiks si ai që gënjen çdo herë, dhe një herë kur ka të drejtë, të shkul dhëmbët, të merr erzin. Megjithatë, unë mendoj se Rama në Bruksel tha gjëra që zyrtarët atje i meritonin.
Shqipëria, ose i ka plotësuar kushtet dhe negociatat duhet të hapen, ose nëse nuk i ka plotësuar, ata që kanë në dorë vendimmarrjen të mos fshihen pas arsyeve se “Bullgaria bllokon Maqedoninë, dhe në jemi çift i pandashëm, e për pasojë do të ngecim në rrjetë të dy vendet”.
Edhe pse shumëkush mund të mendojë se Rama e teproi me ironizmet ndaj zyrtarëve atje(kur përgjegjësia në fakt ishte vetëm e Bullgarisë), unë sërish mendoj se ne kemi të drejtë edhe të ngrejmë zërin, kur mendojmë se zyrtarët në Bruksel nuk po sillen seriozisht e nuk po na trajtojnë me respekt.
Në Bruksel Rama ishte kryelartë, pasi atij nuk i thanë:
Jo, nuk do tua hapim negociatat, sepse ju jeni vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë.
Jeni vendi me nivelin më të ulet të jetesës në europë.
Jeni vendi me pagën më të ulët në Europë
Jeni vendi me standardin më të ulët në Europë të të bërit drejtësi.
Kur të kthehet në Tiranë, padyshim që kryerministri ynë do të vijë me euforinë e Enver Hoxhës kur u kthye nga Moska në 1961, ku u mbajt mbledhja e 81 partie komuniste dhe ku ai denoncoi Hrushovin se po devijonte nga politika e Stalinit. Ai do të bëjë këtu atë që di të bëjë shumë mirë, do ta vjelë politikisht këtë dështim-jo për fajin e tij.
Por ne këtu e dimë, se pavarësisht arsyeve dhe mosarsyeve për mos-hapjen e negociatave, Shqipëria vazhdon të jetë vendi me një mijë probleme. Padyshim që neve na intereson një orë e më parë hapja e negociatave që të rritet forca e kontrollit të Brukselit mbi qeverinë tonë, por përpara shkakut bullgar, ne duhet të na shqetësojë shkaku shqiptar.
Korrupsioni këtu ka arritur pikën superiore. Është korruptuar ligjvënësi si institucion, i cili miraton ligje të posaçme për të ligjëruar një aferë, për të mbështetur e mbrojtur një transaksion.
Si tha Ministrja për Marrëdhëniet me parlamenti, në seancën e kësaj të enjteje, kur opozita akuzoi ministren e jashtme për çështjen e lejes së investitutorit strategjit: “Ajo nuk erdhi në mbledhjen e qeverisë kur u diskutua dhënia e lejes për resortin e burrit të saj, që të shmangte konfliktin e interesit”.
Ndaj në Tiranë Rama nuk duhet të ndjehet kryelartë si në Bruksel. Sepse, me gjithë dëshirën për ti hapur negociatat një orë e më parë, këtu ka më shumë se një arsye bullgare për të mos i hapur negociatat. /abcnews.al/