Kryeministri Rama, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, i ka bërë ftesë opozitës jashtëparlamentare që të mblidhen për të punuar për reflektimin në Ligjin Zgjedhor të risive kushtetuese.
Sipas Ramës, “ato s’janë më projekt, po pjesë e Ligjit Themeltar të Republikës sonë dhe janë të detyrueshme për të gjithë ne.”
“Kushtetuta na thotë jo më pak se 2/3 duhet të hapen, po s’na pengon t’i hapim edhe 100%, por me argumenta e me dialog”, shkruan më tej Rama në postimin e tij.
Po ashtu, kreu i qeverisë paralajmëron se kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes:
S’ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë nesër. Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese tnë këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!”
Lexo edhe: Basha: Ndryshimet e njëanshme të papranueshme, Rama refuzoi hapjen 100% të listave
Postimi:
“LBPD&CO duhet të ulen menjëherë me PS dhe opozitën parlamentare për të punuar për reflektimin në Ligjin Zgjedhor të risive kushtetuese! Ato s’janë më projekt, po pjesë e Ligjit Themeltar të Republikës sonë dhe janë të detyrueshme për të gjithë ne, pa dallim! Prandaj në punë për: 1)Hapjen e listave dhe mekanizmin ligjor të votimit.
Kushtetuta na thotë jo më pak se 2/3 duhet të hapen, po s’na pengon t’i hapim edhe 100%, por me argumenta e me dialog, jo me dokrra e shantazhe, të cilave t’u pijnë lëngun siç ua pinë mandateve të djegura dhe bojkotit zgjedhor!
Formulën e grupimit të partive para zgjedhjeve, sipas modeleve të vendeve të OSBE/ODHIR-it, duke diskutuar e përzgjedhur së bashku, jo me emaile tip fletërrufeje dhe me idenë e gabuar se po nuk deshi një palë në rrugë, palët e tjera në parlament duhet të rrinë duarlidhur!
Ne nuk ndalemi sepse nuk jemi zgjedhur për t’i shkuar mbrapa atyre që ikin në drejtim të paditur, po për të udhëhequr Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e të ardhmes. Në tryezë na ul përgjegjësia ndaj vendit dhe popullit, arsyeja e kultura jonë demokratike, jo dënglat kërcënuese!
S’ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë nesër. Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese tnë këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!” /abcnews.al/