TIRANË- Ankthi mbaroi, Gaz Bardhi mori lajmin nga Berisha se do të mbetet kryetar i grupit parlamentar. Por zëvendëset i ka gati, Belind Këlliçin dhe Tomor Alizotin.
“Jam i bindur se nën drejtimin e Gazment Bardhi do të njohë performancë të re gjatë kohërave që vijnë”, tha Berisha.
Kundër vetëm 1 deputet nga Vlora.
“Dola kundër. Berisha gaboi rëndë me Gazment Bardhin”, tha ai.
Në grupin e ri shumëngjyrësh parlamentar demokrat me Gjin Gjonin, Arian Ndojën, Gent Strazimirin, djalin e Fahri Balliut apo kandidaten Çapja, doktori u vonua sepse kishte ca punë më të rëndësishme. Po ndiqte fjalimin e Ramës për të mbajtur shënim emrat e kabinetit të ri. Kurse analizën e bëri live. Duke filluar nga numri dy.
“Ia ofroi Pacollit zv.kryeministrin në këmbim te aeroportit, refuzoi. Taulant Balla, ushtar i Suelit. Spiropali, njeri me qesharak ai post s’ka patur ndonjëherë. Pirro Vengu, anëtar me shpirt i Troplinëve. Kumbaro, e ka vështirë të kuptojë kur flet e dehur apo normal. Peleshi, me disa dosje në SKAP. Delina Ibrahimaj, narko-ekonomi. Gonxhe, hajdut profesionist. Toni Gogu, po ky çdo në qeveri?”
Por nga fjalimi i Ramës, e papritur për doktorin ishin edhe zgjedhjet e parakohshme të Tiranës.
“Dhe kë i çoi Tiranës? I çoi korbën e korrupsionit. I çoi njeriun që me qëndrimet që mbajti ndaj Covid-it, meriton në mënyrë absolute, minimumi dënim të përjetshëm. Ky sikur e ka Tiranën kopshtin e PS”, tha ai.
Por doktori e ka një brengë për socialistët, sidomos ata që kanë problem me drejtësinë.
“Mos kini iluzione dhe për drejtuesin e ri të SPAK. E cakton Rama. Kur u bënë zgjedhjet e para, i thotë Erion Veliajt: Ti Erion, do mbështesësh Kondilin. Ndërkombëtarëve u tha Troplinin. Veliaj e kuptoi, por vonë”, theksoi Berisha.
“Në ditën kur Edi Rama shpalli kabinetin e ri qeveritar, Sali Berisha i bëri një dhurate Gazment Bardhit, e konfirmoi si kryetar të grupit parlamentar të PD. Bardhi mendon se kundërshtar në parlament do të ketë Taulant Ballen, por në të vërtetë duhet t’i druhet ballafaqimit me Zegjine Caushin. Por beteja e vërtetë politike do të jenë zgjedhjet e parakohshme të Tiranës. Edhe në këtë aspekt, Edi Rama është disa hapa para, i njoftoi dhe caktoi edhe kandidatën. Kurse opozitës së cilës i ka ngelur ora te zgjedhjet e kaluara, u kap sërish gafil dhe pa një emër”/abcnews.al

