Pas zgjedhjeve të 11 majit dhe fitores me 83 mandate, kryesocialisti Edi Rama zyrtarizoi kabinetin e ri qeveritar.
Në “Edicioni i Fundit” në ABC News gazetarja Greta Bullari dhe gazetari Andon Kello bënë një analizë të kabinetit të ri qeveritar.
Gjatë fjalës së saj gazetarja Greta Bullari tha se ajo që është vënë re është një ndërthurje e ministrave që kanë qenë prej vitesh dhe po ashtu edhe figura e ministra të rinj.
“Kemi një ndërthurje mes ministrave që kanë shërbyer prej disa vitesh po aq sa kemi edhe ministra të rinj. Në Asamblenë e PS u konfirmuan pesë ministra në pozicionet aktuale. Sa i përket ministrave të rinj, një pjesë e tyre janë ministra teknikë”, tha ajo.
Ndërsa nga ana tjetër në kampin blu situata është tjetër, pasi kreu i PD Sali Berisha, duket se nuk i intereson një përmirësim i situatës së opozitës.
Gazetari Andon Kello tha se deputetët demokratët janë më larg elektoratit të tyre.
“Gazment Bardhi nuk është risi, ishte thjesht një rikonfirmim. Ishte një kronikë e paralajmëruar. Mesa duket zotit Berisha nuk i interesonte ndonjë krijim i një grupi tjetër sado i vogël në këtë situatë. Gazment Bardhi edhe me një grup që u asimilua rrugës. Por Berisha duket se nuk është i interesuar që të ketë zëra kritika. Tani nga njëra anë kemi ministër me Inteligjencë Artificiale, por PD nuk mund ta zgjidhë situatën në PD me inteligjencë…por duhet të afrohen me elektoratin. Sa për Bashkinë e Tiranës PD ka kërkuar zgjedhje, megjithatë është e papërgatitur për këto zgjedhje të parakohshme. Në orët e fundit në PD janë përmendur tre emra, Belind Këlliçi, një emër tjetër është Ilir Alimehmeti dhe e treta është një grua dhe është Jorida Tabaku. Por problemi është se kush do të pranojë nga këto tre figura”, tha më tej ai.
/abcnews.al/

