Rama dhe Haradinaj shmangën takimin? Flet Limaj

schedule20:00 - 20 Maj, 2019

schedule 20:00 - 20 Maj, 2019

Zëvendës kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i ftuar në “Mbrëmje ABC”, ka folur për takimin e mbajtur sot në Tiranë mes grupit të qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë. Ajo që ra në sy në këtë takim ishte mungesa e dy kryeministrave, Rama dhe Haradinaj. E pyetur nga gazetarja Mirela Milori, se mungesa e tyre erdhi si pasoj e përplasjes që kanë pasur në samitin e Berlinit, Limaj i hodhi poshtë këto zëra.

Mirela Milori: Nuk ishin dy kryeministrat, pse ndodhi kjo?

Fatmir Limaj: Ky ishte takimi i grupit dhe unë jam emëruar koordinator i dy qeverive dhe mbaj takime të rregullta me ministrat qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë. Ka qenë takim i grupeve dhe nuk ka qenë mbledhje e dy qeverive. Ka qenë mbledhje ose takim i koordinatorit me të dyja grupet të cilat do të implementojnë marrëveshjet e arritura në Peja.

Mirela Milori: E bëj këtë pyetje sepse pas samit të Berlinit duket se ka pas një tension mes zotit Rama dhe zotit Haradinaj? U duk si një moment për të shmangur një takim mes tyre.

Fatmir Limaj: Jo nuk ka asgjë sepse këtë takim e kemi programuar në Shkurt dhe nuk ka të bëjë fare për ato gjera për të cilat po flitet. Nuk mendoj se ka një tension dhe është diçka që është normale, zhvillime normale. Në fakt një tension është në të gjithë rajonin.

Mirela Milori: Do doja një komentin tuaj pasi Haradinaj thotë se Rama ka ushtruar presion ndaj tij në Berlin, ndërkohë që zoti Rama thotë gënjen Haradinaj.  Unë do doja një opinion sepse deklaratat janë të forta në fakt.

Fatmir Limaj: Besoj që dy kryeministrat tanë kanë folur për perspektivën e tyre në takimin e Berlinit. Unë nuk kam qenë në atë takim dhe është një moment i rëndësishëm dhe Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë. Do të isha i shqetësuar nëse Tirana zyrtare nuk kujdeset dhe nuk angazhohet për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha drejtimet. Ndërsa nga ana tjetër duhet të ruajmë traditën që kemi pasur për të ruajtur distancën në mos përfshirjen në çështje të politikave ditore si Tirana në Prishtinë ashtu edhe Prishtina në Tiranë, sepse as nuk mund ta ndihmojmë njëri tjetrin, po ashtu nuk mund të ndihmojmë as vendet tona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!