Rama cakton kandidatët për 6 bashkitë, dilemat dhe favoritët

schedule17:46 - 28 Janar, 2022

schedule 17:46 - 28 Janar, 2022

Mbrëmjen e sotme Partia Socialiste pritet që të caktojë kandidatët për 6 bashkitë për zgjedhjet e 6 marsit. Rreth orës 17:20 kreu i PS-së Edi Rama është futur në ambientet e selisë për të nisur takimin me anëtarët e Kryesisë, raporton gazetarja e “ABC” Erneta Shevroja.

Por cilët janë kandidatët favoritë?

Kryesocialisti pritet që Shkodrën t’ja besojë Majlinda Angonit, e cila është prefekte e qarkut. Në Durrës kryetarja e komanduar Emirjana Sako është favorite kryesore. Gjithashtu dhe në Lushnje dhe në Rrogozhinë udhëheqin drejtuesit e komanduar Eriselda Sefa dhe Edison Memolla.

Dilemat më të mëdha janë për dy bashkitë, Dibër dhe Vorë. Në Dibër kandidatë potencialë janë dy; Rahman Spahiu dhe Shkëlqim Murja, që është kryetar i komanduar. Në Vorë sipas të gjitha gjasave PS do të garojë me Mersin Muratin.

Këto janë emrat e lakuar brenda selisë së PS-së, por duke njohur Edi Ramën nuk përjashtohen edhe surprizat e mëdha. Ditët e fundit kryeministri ka zhvilluar takime me të gjithë drejtuesit e qarqeve ku do të ketë zgjedhje.

/Abcnews.al