Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, i shoqëruar nga disa prej ministrave të kabinetit qeveritar. Pas takimit me homologun hungarez, kreu i ekzekutivit shqiptar tha se i kërkoi Viktor Orban ndihmë për integrimin e vendit në BE dhe modernizimin, me fokus arsimin.
“Ishte një nder që të isha mik i kryeministrit sot dhe të kisha mundësi të shkëmbeja me të pikëpamje për tema që përmendi kryeministri dhe për ti kërkuar mbështetje dhe ndihmë në rrugëtimin e modernizimit dhe integrimit.
Në këndvështrimin tonë Hungaria është një vend ku ka shumë dije, ku ka përvoja të pabesueshme mbresëlënëse, ku ka shumë për të mësuar dhe jam shumë mirënjohës kryeministrit për disponibilitetin e tij bujar për të na dhënë të gjithë mbështetjen për të pasur këtë transferim të dijes sepse duam të bashkëpunojmë jo vetëm në bashkëpunimin dy palësh ekonomik, por gjithashtu edhe kulturor dhe arsim.
Lexo edhe: Orbán: Hungaria, plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për anëtarësimin në BE
Atë që Hungaria ka bërë gjatë viteve të fundit për arsimin për të inkurajuar familje që ta shohin të ardhmen e vet me sa më shumë shpresë është frymëzuese, jam mirënjohës dhe pres me padurim që të përforcojmë këtë bashkëpunim”.
Në fund të fjalës së tij në krah të Orban, Edi Rama bëri edhe një batutë. “Miqësia jonë është e vjetër, por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë (Mbretëresha Geraldinë), ne golashënuesin më të mirë të Ferencváros (Myrto Uzuni), kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë” tha Edi Rama. Dy kryeministrat arritën marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të certifikatës së vaksinimit. d.b/Abcnews.al