Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi më Drejtuesit e Policisë së Shtetit, ka vënë theksin tek problematikat që lidhen me uniformat blu, të cilat shpeshherë vijnë dhe për shkak të mosfunksionimit të Drejtësisë.
Rama tha se ngjarja e Himarës ku policia Arjan Tase vrau me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdija, ishte një ngjarje e rëndë që rëndon mbi uniformat blu.
Sipas tij Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore e kishin kallëzuar policin Tase për shkelje të ligjit, por atë e riktheu në detyrë Gjykata dhe një prokuror i pastroi dosjen, duke e nxjerrë të pafajshëm.
“Ka raste të dhimbshme gjithë këto vite ku policia ka harxhuar kohë, energji, ka rrezikuar edhe jetën për tu hedhur hekurat atyre që gjykata i ka nxjerrë në liri, për të rikthyer të njëjtat krime identike. Është mirë ta dinë të gjithë se edhe ai i paudhi i Himarës nuk duhet të ishte në Policinë e Shtetit jo për atë që bëri por sepse AMP e pati çuar në prokurori për tu ndjekur penalisht në shkelje të ligjit, Gjykata e rikthen në detyrë, dhe një prokuror që mori atë që meritonte u shkarkua nga vettingu, ia mbylli përfundimisht çështjen, dhe e pafajësoi duke e rifutur në trupën policore, që nuk ka se çfarë bën tjetër veçse të hapë derën kur tjetri del si dhunues i ligjit dhe rikthehet si i pastër dhe i pafajshëm nga njerëzit e ligjit. Këto nuk janë justifikime, këto janë fakte, këto janë skandale të cilat policia i vuan, pjesa dërrmuese e Policisë që jeton me profesionin dhe pasionin e punës i vuan. Ne këtu qoftë Drejtuesi i radhës i Ministrisë së Brendshme apo unë i vuajmë dhe marrim kosto të pamerituar në këtë rast dhe për këto arsye. Ne u angazhuam si asnjëherë më përpara edhe për shkak të eksperiencës që ky të ishte sezoni turistik më i miri dhe më i sigurti dhe nga Velipoja në Sarandë falë angazhimit maksimal të ministrisë s Turizmit dhe Bashkive kemi një bregdet me një pastërti si asnjëherë më parë”, tha Rama.
/Abcnews.al/