Rama: 4500 shtëpi përfundojnë para verës 2021! Gati ndërtimi i Aeroportit të Kukësit

schedule10:58 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 10:58 - 29 Dhjetor, 2020

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë konferencës me gazetarët deri në fund të verës 4500 shtëpi të nisura nga procesi i rindërtimit do të përfundojnë për t’iu dorëzuar banorëve të prekur nga tërmeti.

“Po punojmë për të fituar kohën e humbur dhe sot kemi disbursuar 289.5 mln euro dhe 250 mln euro të tjera grante. Dhe janë 280 mln dollarë që janë vendosur në dispozicion të shtetit për rindërtimin. Faktikisht e gjithë puna e rindërtimit prek më tepër se familjet e prekura drejtpërdrejtë. Janë gati 500 mijë banorë që preken drejtpërdrejtë qoftë përmes aksesit të fëmijëve në shkolla shumë të mira, 6 qendra të reja shëndetësore që do të ndërtohen nga e para në Laç.

Janë 450 kompani shqiptare dhe punonjës të punësuar në procesin e rindërtimit. Janë 1000 banesa, shtëpi të reja që hapin dyert deri pasnesër për të mundësuar kalimin e vitit të ri në hapësirë më të madhe nga ajoq ë ishte më parë.Në mars përfundojmë 2500 shtëpi të tjera. Janë në total 4500 shtëpi që mbyllen brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Janë 29 mijë familje që kanë marrë para në dorë për meremetimet dhe në total besoj se mund të themi se rindërtimi do të jetë transformim kolosal siç e keni parë me shkollat dhe lagjet e reja që do të rindërtohen”, tha Rama.

Ai deklaroi se brenda verës së vitit 2021 do të përfundojë Aeroporti i Kukësit ndërsa tregoi fazat për nisjen e ndërtimit të aeroporteve të Sarandës dhe Vlorës. Lidhur me transportin detar Rama vlerësoi marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara për portin e Durrësit.

” Jemi në një proces intensiv investimesh publike dhe presim më shumë akoma si rezultat i disa marrëveshjeve që janë në proces zhvillimi. Marrëveshja për parkun e parë në Karavasta do të materializohet në kantier në fillim të vitit të ardhshëm. Po bashkëpunojmë me SHBA për ndërtimin e Skavicës që do të jetë zgjidhja e shumëpritur e balancës në kaskadën e Drinit. Nuk është nevoja për të konsumuar më shumë energji si pasojë e motit. Dhe pasja në dispozicion e asaj rezerve kur koha është e thatë do të bëjë që ne të kemi një kapacitet tjetër në sektorin e energjisë.

Investimet kanë sjellë një humbje në rrjet prej 20% ndryshe nga vite më parë kur humbja ishte 50%. Pastaj edhe humbja nga vjedhja dhe gropa ishte marramendëse. Janë 250 km rrugë të ndërtuara me standarde europiane dhe janë një proces disa rrugë. Besoj se në pranverë Aeroporti i Kukësit do të hapet për fluturimet. Lus zotin që pengesa e fundit për Aeroportin e Vlorës të rihapet. Pastaj të shohim për të hyrë në kantier në Vlorë për të pasur aeroportin e madh ndërkombëtar të Jugut të Shqipërisë. Më vonë do kemi garën për Aeroportin e Sarandës. Në transportin detar marrëveshja më e madhe është me Emiratet e Bashkuara për portin e Durrësit”, deklaroi Rama./mv.abcnews.al