Kryeministri Edi Rama ka komentuar publikisht sulmet që po bëhen në adresë të Gent Cakajt, i propozuar nga ana e tij për të zëvendësuar Ditmir Bushatit. Rama ka renditur tre arsyet se pse po ngrihen kaq shumë alibi që Caka të marrë postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
“E kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për tri arsye. Për të paktën tri arsye; sepse është shumë i ri, d.m.th., nuk i përket botës së tyre të vjetër. Sepse është shumë i pastër, d.m.th., nuk mund të akuzohet për asgjë. Sepse është nga Prishtina, d.m.th., që një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë, por ama si kosovar mund të përdoret si mish për top, nga ata që i janë kundërvënë egërsisht me vandalizëm verbal dialogut Kosovë-Serbi. Por unë nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar, as si i ri, por si një shqiptar europian pasionant për dijen dhe për atdheun tonë të përbashkët, i cili prej kohësh tanimë punon me mua, shtetas i Republikës së Shqipërisë, fillimisht si këshilltar dhe më pas si zëvendësministër.”
Kreu i qeverisë i është përgjigjur Presidentit Meta, dhe tha se Caka kurrë nuk ka shprehur diçka që bie ndesh me politikën e jashtme të Shqipërisë. Sipas Ramës, Caka dhe nuk është shprehur për ndryshime kufijsh në Ballkan.
“Ai kurrë nuk ka shprehur diçka që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë, ose është keqdashës, ose keqlexues, ose të dyja bashkë, ose edhe më keq akoma. Ai kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan, dhe as ka marrë përsipër të ndërhyjë ndonjëherë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë që i takon lidershipit demokratiksiht të zgjedhur të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në Kosovë.”/abcnews.al