Raketa në Poloni, Borrell: Mbetemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë

schedule23:21 - 16 Nëntor, 2022

schedule 23:21 - 16 Nëntor, 2022

Bashkimi Evropian shpreh unitet të palëkundur, vendosmëri dhe solidaritet të plotë me Poloninë dhe popullin polak pas shpërthimit të djeshëm të shkaktuar nga një raketë në një fshat afër kufirit me Ukrainën, thekson Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell , duke shprehur ngushëllime për familjet e dy viktimave.

Për më tepër, deklarata e lëshuar nga BE-ja nënvizon mbështetjen e saj të plotë për hetimin e vazhdueshëm nga autoritetet polake për të konstatuar rrethanat e tragjedisë.

“Ne do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me partnerët tanë, përfshirë NATO-n , në hapat e ardhshëm”, nënvizon BE.

Njëkohësisht, theksohet se ky incident tragjik është rezultat i breshërisë së djeshme të sulmeve me raketa të nisura nga Rusia në qytete të ndryshme të Ukrainës, me shënjestër civilë dhe infrastrukturë joushtarake, duke shtuar se këto sulme janë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.

Rusia vazhdon të përhapë dezinformata në lidhje me luftën e saj të pajustifikuar dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, vëren BE-ja.

Bashkimi Evropian i bën thirrje Moskës të ndalojë luftën e paligjshme, duke nënvizuar se ajo mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e vetëmbrojtjes kundër agresionit rus.

Së fundi, BE-ja thekson se do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Rusisë për të ndalur luftën dhe për t’u tërhequr nga territori i Ukrainës, duke përfshirë edhe masat kufizuese./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!