I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, eksperti i sigurisë Redion Qirjazi u shpreh se Irani mbetet një aktor racional në skenën ndërkombëtare dhe se ka “vija të kuqe” të qarta që nuk do t’i kalojë. Sipas tij, një ndër to është goditja e drejtpërdrejtë e një vendi anëtar të NATO-s, siç është Turqia. Ai theksoi se një veprim i tillë do të ishte një betejë e humbur për Teheranin dhe një precedent i rrezikshëm, ndaj nuk beson se ka pasur qëllim të drejtpërdrejtë ndaj Turqisë, por më tepër një orientim të mundshëm drejt Qipro. Qirjazi nënvizoi se, megjithëse Irani synon ta përhapë konfliktin, ai shmang përplasjen direkte me NATO-n.
“Irani është një territor racional dhe ka jetuar për mijëvjeçare. Rrjedhimisht ka disa vija të kuqe që nuk do i kalonte dhe një është goditja e një vendit anëtar të NATO-s. Do të ishte një betejë e humbur për Iranin. Ky është një bast që Irani nuk është i gatshëm që ta bëjë. Do të ishte e paprecedentë goditja në infrastrukturën e një vendi anëtar të NATO-s. Nuk mendoj që ka qenë me qëllim ndaj Turqisë, kam tendencën të mendoj që ka qenë më shumë drejt Qipros. Irani ka tendencën që ta përhapë sa më shumë këtë konflikt, por pa kaluar vijat e kuqe dhe vija e kuqe është NATO”, tha Qirjazi.
Nga ana tjetër, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Endri Tafani paralajmëroi se rreziku i përshkallëzimit me Perëndimin mbetet i pranishëm. Ai përmendi sulme ndaj Qipros dhe ndaj ambasadës së Franca, duke argumentuar se Irani po tenton të përfshijë në konflikt edhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Britania e Madhe. Sipas Tafanit, objektivi është zgjerimi i konfliktit, por pa përfshirë drejtpërdrejt vendet anëtare të NATO-s.
Ai theksoi gjithashtu se një nga pikat më të dobëta të Iranit mbeten lëshuesit e raketave, të cilët, sipas tij, po pësojnë dëme të konsiderueshme. Kjo situatë, argumenton Tafani, pritet të sjellë një ulje të intensitetit të sulmeve iraniane në vijim.
“Shanse për përshkallëzim me Perëndimin nuk janë shumë të ulëta, sepse ka pasur sulm ndaj Qipros dhe ambasadës së Francës. Është duke goditur vendet e tjera, jo anëtaret e NATO-s. Kërkon që konflikit të përhapet sa më shumë. Kërkon që në këtë aksion të përfshihen edhe aksione të tjera, si Franca dhe Britani, të risjellë situatën e 199-ës. Pika e dobët e Iranit janë lëshuesit e raketave. Po ndodh një shkatërrim i madh i shkatërruesve të raketave. Kjo bën që të ketë një ulje të sulmeve të Iranit”, tha Tafani.


