Raketa franceze për gjeneralin rebel

schedule23:35 - 10 Korrik, 2019

schedule 23:35 - 10 Korrik, 2019

Qeveria franceze është gjendur në një pozitë të vështirë kur raketa të ushtrisë së saj janë gjetur në një bazë rebelësh në Libi. Duke reaguar, Parisi zyrtar është justifikuar duke thënë se raketat nuk ishin të destinuara për grupet rebele që po përpiqen të rrëzojnë qeverinë legjitime të Libisë.

Qeveria franceze ka mohuar zërat se ka shkelur embargon e OKB-së për armët pasi katër raketa anti-tank të prodhimit francez u gjetën në një bazë që i përket një gjenerali libian.

Ministria franceze e Mbrojtjes deklaroi se raketat ishin të papërdorshme dhe nuk do të binin në duart e asnjë grupi rebel që kundërshton regjimin libian të njohur nga Perëndimi. Sidoqoftë, baza ku u gjetën raketat ndodhet në jug të Tripolit dhe përdoret nga forcat besnike të gjeneralit Khalifa Haftar, të cilat aktualisht po luftojnë për marrjen e kryeqytetit.

Beteja për Tripolin nisi kur trupat e gjeneralit Haftar i dhanë jetë një ofensive në muajin prill, duke bërë që prej atëherë të vriten disa qindra persona. Katër raketat u zbuluan në qershor, kur njësitë ushtarake të qeverisë së mbështetur nga OKB kontrolluan kampin.

Përmes një deklarate të bërë të mërkurën, Parisi zyrtar pranoi se raketat, që mund të përdoren kundër tankeve dhe mjeteve të tjera, i përkasin ushtrisë franceze. Por shtoi se ato ishin për të mbrojtur njësitë që ndërmarrin misione të fshehta dhe anti-terrori.

Në komunikatën e qeverisë vijohet më tej se, raketat ishin të dëmtuara, të papërdorueshme dhe ndodheshin në prag të procesit të shkatërrimit. Libia është përfshirë nga dhuna dhe përçarjet që prej vitit 2011, kur lideri historik i saj, Muamar Gadafi mbeti i vrarë nga kryengritësit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!