Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Medlir Mema deklaroi se ushtria dhe Garda Revolucionare e Iranit mbeten ende të fuqishme në terren, çka e bën shumë të vështirë përfundimin e konfliktit vetëm përmes sulmeve ajrore.
Sipas tij, një regjim nuk mund të ndryshohet vetëm duke bombarduar, ndërsa lufta reale vendoset në terren dhe kërkon një ndryshim strategjie.
Mema theksoi gjithashtu se nëse konflikti zgjat më shumë se 2–3 muaj, situata ekonomike dhe politike mund të bëhet shumë më e vështirë për palët e përfshira.
“ Kur vjen puna për dobësinë e ushtrisë iraniane, kemi një dobësim për përgjigje me sulme ajrore. Ushtria dhe garda vazhdojnë të jenë plotësisht të fuqishme, janë në terren dhe të armatosur dhe kjo e bën një përfundim të konfliktit shumë të vështirë. Nuk mund të ndryshosh një regjim duke bombarduar.
Irani ka filluar të dobësohet në mbrojtje, por edhe Amerika dhe Izraeli kanë nisur të jenë më pak të aftë. Të gjitha këto e bëjnë situatën interesante, por loja luhet në terren dhe nëse nuk ka një zhvendosje të strategjisë, atëherë Irani nuk do të ndryshojë dhe do të ketë një ndikim edhe më të madh në arenën ndërkombëtare.
Koha është në favor të Iranit dhe jo të Amerikës dhe Izraelit. Nëse ky konflikt zgjat më shumë se 2–3 muaj, do të ketë vështirësi të situatës ekonomike dhe politike. “ / abcnews.al /


