Rakacolli: Përdorëm strategji të zgjuar! Pse trajtimi i pacientëve me Covid-19 bëhet në Tiranë

schedule21:40 - 17 Nëntor, 2020

schedule 21:40 - 17 Nëntor, 2020

Autoritetet zyrtare në Tiranë thonë se gjatë këtyre muajve mjaft shembuj në botë të testimit masiv duke nisur nga Italia, nuk dhanë rezultat. Zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehet se Shqipëria e ka nën kontroll situatën epidemiologjike.

“Strategjia jonë e testimit ishte një strategji e zgjuar. Ne testonim rastin e dyshuar, atë që kishte shenja dhe në bazë të hetimit epidemiologjik kontaktet e ngushta të këtyre personave. Vërtet kemi numër më të ulët të testimit në krahasim më vendet e rajonit, por situatën epidemiologjie e kemi më të kontrolluar. Numri i fataliteteve përshembull, vetëm Serbia e ka pak më të ulët se ne. Pra nuk ka asnjë lloj korelacioni mes testimit dhe rezultatit”, thotë për Zërin e Amerikës Mira Rakacolli, Zv. Ministre e Shëndetësisë.

Autoritetet shëndetësore i përgjigjen kritikave për mbingarkesë të spitaleve Covid në Tiranë duke thënë se kanë 550 shtretër dhe 30% e tyre janë të lira aktualisht. Në total në të gjithë vendin në planin rezervë të përfshirjes për trajtim edhe të 5 spitaleve rajonale janë 1600 shtretër gjithsej, aktualisht 75% e tyre të lira, ndërsa ka dhe rezerva të tjera nëse do të duhen sqaron Zv Ministrja e shëndetësisë. Në lidhje me centralizimin e shërbimit në Tiranë Zonja Rakacolli jep këtë argument.

“Kemi vendosur që kjo është alternativa më e mirë edhe për një mirmenaxhim të burimeve njerëzore. Spitalet rajonale sot për sot po përballin urgjencën. Bëjnë vlerësimin kur ju shkon i sëmuri. Nëse ata e gjykojnë se është infektuar më Covid, atëherë ata e dërgojnë për një trajtim më të specializuar në strukturat e dedikuara për COVID në Tiranë”, shprehet Mira Rakacolli.

Specialistët e sistemit shëndetësor thonë se nuk mungojnë kapacitetet njerëzore dhe laboratorike por shtimi i testimit solli një fluks të menjëhershëm, një vështirësi që u kapërcye sqarojnë ata, duke njoftuar se laboratorët privatë po vleresohen nga një grup specialistësh për të shmangur rikonfirmimin në ISHP, pa të cilin mjeku i familjes aktualisht nuk lëshon recetë. Hapi tjetër lidhet me testet e shpejta.

“Komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar hyrjen në tregun shqiptar të testeve të shpejta. Ka dalë dhe udhëzuesi mbi këto teste, të cilat janë planifikuar që do të aplikohen nga institucionet shtetërore, urgjencat e spitaleve nga poliklinikat, nga mjeku i familjes dhe shumë shpejt këto do jenë aktive dhe funksionale”, shprehet për Zërin e Amerikës Dr. Eugena Tomini, Instituti i Shëndetit Publik./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!