Rajonet e Ukrainës të pushtuara nga Rusia rrezikojnë të kthehen në vatra infeksioni dhe epidemish

schedule09:20 - 14 Korrik, 2022

schedule 09:20 - 14 Korrik, 2022

Nga Ihor Kuzin, Atlantic Council

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Rreth 20% e Ukrainës është aktualisht nën pushtimin e forcave ruse. Përveç çështjeve urgjente ushtarake dhe të të drejtave të njeriut, pushtimi i vazhdueshëm i Rusisë ka prodhuar gjithashtu një sërë sfidash të shëndetit publik që kërkojnë vëmendje urgjente ndërkombëtare.

Një nga problemet kryesore me të cilat përballen autoritetet ukrainase është mungesa e aksesit në informacion. Fatkeqësisht, Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës nuk ka më një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës në rajonet e pushtuara të vendit. Kjo e bën të vështirë marrjen e njohurive dhe vlerësimin e shkallës së problemeve të kujdesit shëndetësor në zonat që janë tashmë nën kontrollin rus.

Megjithatë, vlerësimet e provave të disponueshme dhe ndërgjegjësimi për situatën e përgjithshme në Ukrainën e pushtuar nga Rusia mund të ndihmojë në identifikimin e prioriteteve kryesore për profesionistët e kujdesit shëndetësor ukrainas dhe ndërkombëtarë.

Një nga rreziqet më të rëndësishme vjen nga përhapja e mundshme e patogjenëve. Ndërsa temperaturat arrijnë nivelet më të larta sezonale gjatë korrikut dhe gushtit, kontakti i njeriut me insektet dhe rriqrat që thithin gjakun bëhet më i zakonshëm. Kjo shpesh çon në përhapjen e sëmundjeve infektive, raporton abcnews.al.

Një problem tjetër madhor është aksesi i kufizuar në ujë të pijshëm. Kjo rrit rreziqet e shkaktuara nga uji i kontaminuar dhe gjithashtu e bën të vështirë për njerëzit në rajonet e pushtuara të Ukrainës që të mbajnë standardet e dëshirueshme të higjienës personale dhe kanalizimeve.

Kjo mund të shkaktojë shpërthime masive të diarresë, hepatitit A, kolerës dhe infeksioneve të tjera. Për shkak të strategjisë ushtarake të Rusisë për nënshtrimin e qyteteve, infrastruktura bazë është dëmtuar në pjesën më të madhe të Ukrainës jugore dhe lindore të okupuar.

Shumë zona tani kanë akses të kufizuar në ujin e pijshëm. Rreziku i një shpërthimi të kolerës besohet të jetë veçanërisht i lartë në Mariupol, një qytet port ukrainas i pushtuar nga Rusia në Oblastin Donetsk, me një popullsi prej gati gjysmë milioni paraluftës, e cila u shndërrua kryesisht në rrënoja gjatë një rrethimi brutal rus. Sipas autoriteteve bashkiake të Mariupolit, 22 stacionet e pompimit të qytetit u shkatërruan të gjitha gjatë luftimeve, ndërsa trajtimi i ujërave të zeza dhe sistemet e kullimit gjithashtu nuk janë në gjendje të funksionojnë siç duhet.

Ndërkohë shumë trupa janë të bllokuar në rrënoja dhe po dekompozohen duke rrezikuar edhe më shumë situatën e pasigurt të kujdesit shëndetësor të qytetit. Pushtimi i Rusisë ka zhvendosur miliona ukrainas dhe ka bashkuar një numër të madh njerëzish në mënyra që krijojnë potencial për emergjenca të kujdesit shëndetësor.

COVID-19 gjithashtu mbetet një problem. Para pushtimit rus, vetëm 35% e popullsisë ukrainase ishte vaksinuar, që përfaqëson një nga normat më të ulëta në Europë. Një rritje e mprehtë e rasteve të COVID mund të çojë në mbipopullim në spitale në një kohë kur po rritet nevoja për kujdesin e ushtarakëve dhe civilëve.

Ndërkohë, vonesat e mundshme në diagnostikimin dhe trajtimin e tuberkulozit janë një çështje mjaft shqetësuese. Në veçanti, nëse pacientët ndalojnë marrjen e ilaçeve për shkak të aksesit në kujdesin mjekësor në pjesët e pushtuara të Ukrainës, kjo mund të çojë në një rritje të rasteve të tuberkulozit.

Në mënyrë të ngjashme, njerëzit me HIV mund të mos kenë akses në ilaçe. Kjo mund mund të çojë në rishfaqjen e mutacioneve rezistente ndaj trajtimit, të cilat përbëjnë një rrezik të lartë jo vetëm për pacientët aktualë, por edhe për ata që mund të preken nga sëmundja në të ardhmen, raporton abcnews.al.

Një numër i madh i bagëtive të braktisura po e ndërlikojnë më tej situatën e kujdesit shëndetësor në Ukrainën dhe po rrisin kërcënimin nga sëmundjet që transmetohen nga kafshët. Mbështetja ndërkombëtare për Ukrainën deri më tani është përqendruar në sigurimin e armëve së bashku me përpjekjet e ndihmës humanitare për ata që janë zhvendosur nga lufta.

Është jetike që partnerët e Ukrainës të ndihmojnë gjithashtu për të adresuar çështjet në rritje të kujdesit shëndetësor të krijuara nga lufta. Lista e ilaçeve të kërkuar aktualisht nga Ukraina është e gjatë. Kjo përfshin komplete diagnostike, spitale, ilaçe imunobiologjike për trajtimin e sëmundjeve si difteria, tetanozi, botulizmi dhe malaria, si dhe vaksinat për imunizimin rutinë (duke përfshirë kundër hepatitit A dhe kolerës), dezinfektuesit, sistemet portative të trajtimit të ujit.

Për të krijuar një sistem të kujdesit shëndetësor të aftë për t’iu përgjigjur rreziqeve epidemike, parlamenti ukrainas do të finalizojë draftin e dytë të një ligji për shëndetin publik që përmban mbi 850 propozime nga deputetë dhe 400 propozime nga ekspertë ndërkombëtarë.

Gjithashtu ekspertë nga OBSH, USAID, Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës dhe Qendra e Shëndetit Publik të Ukrainës janë përfshirë në finalizimin e projektligjit. Kjo detyrë e madhe do të kërkojë mbështetje të mëtejshme nga komuniteti ndërkombëtar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!