Futbolli është një industri që xhiron miliarda euro. Të shumta janë fitimet e lojtarëve, trajnerëve dhe agjentëve të tyre. Në FIFA ka lindur ideja e vendosjes së një kufiri në pagat e pjesëtarëve të lojës më të bukur me top, mendim që kundërshtohet nga Mino Raiola.
Agjenti i njohur, i cili zotëron të drejtat e emrave si Zlatan Ibrahimovic, Paul Pogba apo Gianluigi Donnarumma, bën një krahasim interesant në World Football Summit. “Kur FIFA vendos të aplikojë një kufi pagash, do të thotë që klubet e futbollit nuk janë më në gjendje për të marrë vendime.
Disa klube janë të kuotuora në bursë, kështu që FIFA nuk mund t’i urdhërojë se si të sillen me biznesin e tyre. Është e qartë që merkato nuk funksionon ashtu siç do FIFA. Futbollistët janë burimi i këtij sporti dhe mund të vendosin çfarë të duan. Nëse atyre u vendosim një kufi pagash, kjo gjë duhet bërë me të gjithë.
Real Madrid dhe Barcelona fitojnë miliarda, duhet t’u kërkojmë që të vendosin një kufi në çmimet e biletave? Do ndodhë e njëjta gjë me aktorët, gazetarët dhe artistët? Do guxonte kush t’i vinte një kufi page Leonardo Da Vincit, Banksy apo Rembrandt? Si mund t’i vendosësh limite një talenti?
Ndodhemi në një botë kapitaliste, por Gianni Infantino (presidenti i FIFA-s) dëshiron që të bëhemi si Koreja e Veriut. Nuk kam asnjë problem me Korenë e Veriut, por ai mund të shkojë të jetojë atje, unë nuk mundem“, deklaron Raiola. /abcnews.al