Rafael Sosa mund të rikthehet në Superiore dhe destinacioni i tij pritet të jetë skuadra e Luftëtarit. Sulmuesi argjentinas, i cili në elitën e futbollit shqiptar është aktivizuar me Dinamon, Skënderbeun, Flamurtarin dhe Laçin, lë të kuptohet se gjithçka është e mbyllur.
Ai ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku konfirmon në njëfarë mënyre lajmin që e lidh atë me klubin gjirokastrit. Për herë të fundit në Shqipëri luajti në vitin 2015 , kur fitoi Kupën me Laçin. Gjatë këtyre viteve është aktivizuar në Argjentinë dhe tashmë në moshën 31-vjeçare mund të rikthehet sërish në Superiore.
Sosa në vendin tonë spikati me Dinamon, duke fituar titullin kampion në vitin 2010. Asokohe shënoi 6 gola me blutë dhe kaloi në Korçë, ku me fanellën e Skënderbeut dha kontributin e tij për fitimin e titullit kampion. 13 gola me bardhekuqtë dhe më pas provoi një eksperiencë në Moldavi me Sheriff Tiraspol. /abcnews.al