Kërkuesja shkencore dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Pranvera Tika komentoi vështirësitë me të cilat përballen shtetasit shqiptarë në Greqi si pasojë e racizmit. Ajo tha se ministria e Drejtësisë së Greqisë ka përpiluar një udhërrëfyes, nëpërmjet të cilit emigrantët mund të denoncojnë dhe të kërkojnë ndihmë nga autoritetet për të kërkuar të drejtat sociale, ekonomike që vijnë si pasojë e krimit racial.
“Nuk është vetëm feja elementi që shkakton racizmin apo vështirësitë që përballojnë shqiptarët. Kryesisht në vitet 2000 kemi përkeqësim të klimës politike mes dy vendeve dhe në varësi të kësaj krijoheshin dhe fenomene të ndryshme. Këto kanë ekzistuar deri në 2010, pastaj kalojmë në një fazë tjetër deri në ditët e sotme.
Në fillim të 2010 kemi miratimin e ligjit për marrjen e nënshtetësisë për herë të parë pas 20 vitesh qëndrimi në territorin helen por është një ligj që zgjati deri në 2013 pasi me qeverinë konservatore ky ligj pezullohet dhe kthehet në 2015.”, tha ajo. “Udhërrëfyesi nuk është lëshuar akoma nga ministria e drejtësisë, duke qenë pjesë e trupës shkencore për hartimin e këtij ndërmora këtë hap të informimit.
Do të dalë në fund të qershorit, do të jetë i disponueshëm në sajtin e ministrisë.”, tha aktivistja duke shtuar më tej: “Në mënyrë të organizuar për herë të parë, viktimat e krimit racial mund të drejtohen në zyrat përkatëse, ka një procedurë të caktuar që mund të ndjekin. Hapi i parë ka të bëjë me kontaktin e drejtpërdrejt me policinë ose në zyrën e përballimit të dhunës raciale.” /Abcnews.al

