Rabdishti është një fshat malor i Dibrës, i cili i mbijetoi dy djegjeve nga serbët në luftrat ballkanike. Fshati i gurit ka qenë i njohur për qindra gurgjendës, që ndërtuan e rindërtuan jo vetëm fshatin e tyre, por punuan në gjithë zonën dhe përtej, deri në vendet ku emigruan. Sabri Shahini është një nga gurgjendësit që ka mbetur në fshat dhe usta i Rabdishtit e ka trashëguar zanatin nga babai dhe vëllezërit. Ai na tregon sesi shtëpia e gurit është kthyer tashmë në bujtinë të gurit. Bashkëshortja, Festa Shahini, na tregon gatimet tradicionale të zonës, që nga grosha tek jufkat dhe pula në qull. Zonjat dibrane mbajnë shtëpitë dhe kujdesen për gjithçka.
“Behet nami” nëse vijnë mysafirë dhe shtëpia nuk është në rregull, na thotë Festa. Sabriu është kthyer nga emigracioni në Greqi dhe Itali dhe ka hapur bujtinën e tij. Fluksi i turistëve vazhdon të rritet. “Ato lekë që i merr një usta në Gjermani, i merr në Shqipëri”, na thotë Sabriu, duke shtuar: “Jam si mbret në Rabdisht… emigracioni “nuk ia vlen” më tani. Pak më tej, është një bujtinë tjetër ku e zonja e bujtinës, Elvina Goleci, na tregon se mëngjesi fillon me petulla dhe dreka me byrekun tradicional me petë të pjekura.
Bashkëshorti i saj, Fitim Goleci, ka qenë për shumë kohë emigrant në Greqi. “Fshati na thirri, kthehuni, se këtu kemi lindur”, na thotë, duke na shpjeguar se ka ikur si adoleshent rrugëve të botës dhe është kthyer më në fund, në shtëpi, për të hapur bujtinën në Rabdisht. Vendlindja thërret, kujtimet e vendit tënd të thërrasin, nuk mund t’i gjesh diku tjetër, na thotë, duke shtuar: “Kudo që të jesh, nuk je vetvetja në vend të huaj”. Në Rabdisht, ashtu si edhe në pjesën tjetër të Dibrës, ka një shprehje për mikpritjen, që shpesh shkakton të qeshura.
“Mikun mund ta lësh pa bukë, po pa dru mos e lër”. Këtu në Rabdisht, kujtimet e fëmijërisë dhe thirrja për t’u kthyer vijnë edhe nga një qilim i punuar nga nëna dhe i ruajtur mirë, por edhe nga një lisharës që sjell shumë nostalgji. Njerëzit këtu janë të urtë e punëtorë. “Nuk shahet” në Dibër, pse ta thuash fjalën e keqe, kur mund ta thuash fjalën e mirë”, na thotë Festa. Dhe në fund, pyetja mbetet, a ia vlen më emigracioni? “50–60 euro i merr në shtëpinë tënde, me dy dhoma të vogla”, na përgjigjet Sabri Shahini!


