Qyteti në festë/ Rama ndan pamjet: Libohova pret turistë nga të katër anët e botës!

schedule20:59 - 12 Gusht, 2024

schedule 20:59 - 12 Gusht, 2024

LIBOHOVË– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë pamje në faqen e tij “Facebook” nga Libohova, e cila sipas tij është kthyer si një “oaz” që pret miq të rinj çdo ditë duke u kthyer në një destinacion tërheqës turistik.

Në shkrimin e tij, shefi i qeverisë rikthehet pas në kohë duke kujtuar Libohovën e “harruar’ nga qeverisjet e kaluara.

Sipas tij, falë përkujdesjes dhe investimeve të bëra, sot Libohova pret jo vetëm vizitorë, por edhe turistë nga e gjithë bota.

“Kur kam shkuar për herë të parë në Libohovë, si kryetar i opozitës, ishte si një nga shumë qytezat e Shqipërisë që “i kishte harruar edhe Zoti”, me kishën e mahnitshme që po binte në vetmi, rrugën kryesore ku asfalti dukej si lëkurë e shqyer krokodili, shtëpitë si fantazma nën muret e murrme të kalasë së heshtur të Shanishasë dhe njerëzit si hije nëpër diell. Të flisje për një të ardhme me turizëm e për turistë të huaj që do të ngjiteshin deri aty ku edhe gurët kishin marrë rrugën teposhtë, ishte si të premtoje zbritjen e marsianëve me mushka fluturuese për të shijuar natyrën, traditat dhe ushqimet e Libohovës. Sot nuk janë marsianët po janë turistë nga të katër anët e botës dhe vizitorë që jo vetëm ngjiten në qytezën e veçantë, për të shijuar bukurinë magjepsëse të kishës së restauruar, historinë, natyrën dhe mikpritjen libohovite, po edhe për të hedhur valle në mbrëmje mbi qilimin e gurtë të Rilindjes Urbane, që pret përditë miq të rinj, aty ku deri dje vetëm përcilleshin përmes gropave e pluhurit të mbeturit që shkonin për në banesën e fundit”, shkruan Rama./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!