“Australia my home” është një dokumentar që rrëfen historitë e shqiptarëve që kanë emigruar në kontinentin e largët. Dokumentari është realizuar nga regjisori Dritan Arbana, në bashkëpunim me Kreun e Shoqatës Shqiptare të Sheppartonit, Rexhep Qemal, dhe është xhiruar në Shqipëri dhe Australi.
Sheppartoni është cilësuar shpesh si “Korça e vogël” pasi atje jetojnë shumë shqiptarë nga kjo zonë. Dokumentari përshkruan rrëfimet e emigrantëve që braktisën atdheun më shumë se një shekull më parë për të ndërtuar një shtëpi të re në këtë cep të largët të Tokës.
Përmes tij, rrëfehen sakrificat dhe kontributin e tyre ndaj vendit të adoptuar, si dhe forcën e identitetit kulturor përballë mallit dhe largësisë. Rexhep Qemal, i cili ka lindur në Australi, rrëfeu gjatë një interviste për “Abc-ja e mëngjesit” se dokumentari është filmuar gjatë një viti në dy kontinentet.
“Dokumentari ka 5 protagonistë nga gjenerata të ndryshme që rrëfejnë pjesën e historisë së emigrantëve të hershëm në Australi. Historitë rrëfehen nga protagonistë por njëkohësisht ka shumë imazhe. Ne shpresonim ta përfundonim në 2020 por u shty për shkak të pandemisë.”, tha shqiptari.
Ai shpjegoi dhe historinë e familjes së tij. “Kam lindur në Australi, jam shqiptar i gjeneratës së parë. Babai im ka ardhur këtu në vitin 1936, kur ishte 16 vjeç. Ne flisnim shqip por kur nuk e përdor në mënyrë të përditshme bëhet shumë e vështirë. Diçka që kemi bërë ne shqiptarët në Australi, është se jemi integruar këtu dhe në të njëjtën kohë, kemi ruajtur kulturën tonë.“, tha ai. /abcnews.al
/abcnews.al


