Nga Xhensila Kodra
Ekspertët hedhin dyshime mbi efikasitetin e nismës së qeverisë për monitorimin e hapsirave publike nëpërmjet kamerave të sigurisë.
Ervin Karamuço shprehet skeptik duke thënë se vendimi i qeverisë nuk mund të ulë numrin e veprave penale. Megjithatë shton se mund të rritet zbulueshmëria e krimeve.
“Aktualisht ne kemi një ekzistencë të shtuar të kamerave të bizneseve private. Por kjo nuk është do të ulë shumë numrin e veprave penale, por do të rrisë më shumë mbikqyrjen, aksesin dhe sigurimin në kohë të provave filmike nga ana e Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese.”
Një tjetër problemetikë që ngrihet është dhe përdorimi i kamerave të bizneseve. Karamuço thotë se për shkak të kërcënimeve, shumë pronarë i kanë drejtuar kamerat nga bizneset e tyre, dhe jo nga hapësirat publike. Sipas tij, shteti duhet të marrë përsipër kostot financiare.
“Policia po zhvillon një veprimtari shumë të rëndësishme, në zbatim është pak e vonuar duhet thënë, në zbatim të ligjit, për masat shtesë së Sigurisë Publike. A do e ndihmojë kjo policinë? Do e ndihmojë. Kush do ta paguajë? Shteti. Është iniciativë e shtetit, në bazë të ligjit nuk i takon subjekteve private, por i takon shtetit. Gjatë këtyre viteve, bizneset kanë filluar t’i drejtojnë kamerat më shumë nga territoret e tyre sesa në ambiente publike, për shkak se ka pasur përplasje shumë të mëdha me autorë të veprave, ka pasur hakmarrje në disa raste.”
Qeveria ka hapur tenderin me vlerë 100 milionë lekë për krijimin e hartës digjitale për hapësirat publike që mbulohen me kamera sigurie në të gjithë territorin.
Nuk specifikohet nëse do të blihen kamera të reja apo do të përdoren ato ekzistuese. Në sistemin që do të krijohet, për çdo kamera të instaluar do të ketë informacion të detajuar për vendndodhjen dhe subjektin që e zotëron atë.
Para katër vitesh ish-ministri Tahiri inicioi këtë nisme ligjore, por për shkak të kundërshtimeve të shumta, projektligji u ndryshua. /abcnews.al