“Qytetarët paguan 71 % më shumë”: Aktivistët protestë për abonetë, kërkojnë përgjysmimin e çmimit

schedule09:14 - 25 Qershor, 2021

schedule 09:14 - 25 Qershor, 2021

Aktivistë të Organizatës Politike kanë ndërmarrë një peticion me më shumë se 11 mijë firma me qëllim rikthimin e aboneve. Pasditen e sotme, organizata politike pritet të mbajë një protestë duke kërkuar rikthimin e tyre dhe përmirësimin e kushteve të transportit publik.

Të ftuar ditën e sotme në “Abc-ja e mëngjesit” ishin aktivistet Flavia Osmani, Vitori Cipi dhe Joana Meraja. Duke iu referuar lajmit që qarkulloi pasditen e djeshme se abonetë do të rikthehen në muajin Korrik, ata theksuan se për sa kohë nuk ka një njoftim zyrtar nga bashkia, nuk do të tërhiqen.

“Është interesante se pasi kemi dorëzuar një peticion me më shumë se 11 mijë nënshkrime në Bashkinë e Tiranës dalin fjalë që aboneja do të rikthehet. kjo më shumë sesa e vërtetë, është frikë dhe stepje që ka bashkia kundrejt reagimit të qytetarëve. Për të krijuar një farë diversioni mes atyre që do të jenë prezentë në protestë por kjo nuk na zbraps.”, tha Joana.

Ata kërkuan gjithashtu dhe përgjysmimin e çmimit të abonesë kryesisht për kategorinë e pensionistëve, të papunëve dhe punëtorëve me pagë minimale. “Qytetarët gjatë këtij muaji që është hequr aboneja iu është dashur të paguajnë 71 përqind më shumë për transportin publik urban. Pikërisht për ta ndaluar këtij dëmtimi kronik kemi ndërmarrë këtë nismë me peticion dhe sot kulmon me protestën e orës 5 për këtë lloj dërrmimi që po iu bëhet xhepave të qytetarëve.”, u shpreh Flavia. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!