“Qytetarët në Mal të Zi duan një president të ri”, Abazoviç mbështet rivalin e Gjukanoviç

schedule16:20 - 20 Mars, 2023

schedule 16:20 - 20 Mars, 2023

Kryeministri në detyrë në Mal të Zi, njëherësh kryetari i URA, Dritan Abazoviç deklaroi se kjo forcë politike do të mbështesë kandidatin për president të Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Milatoviç, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Abazoviç përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor për korrektësinë e tyre politike dhe qasjen mjaft konstruktive në ditët e fundit, me theks të veçantë për Jakov Milatoviç, i cili ka mbështetje për një fitore në raundin e dytë, shkruan Vijesti.

E gjithë rrjedha e fushatës, dita e zgjedhjeve dhe shpallja përfundimtare e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, sipas Abazoviç, paraqet një fitore të madhe për demokracinë në Mal të Zi.

“Pa tensione, me retorikë pajtuese, në një fushatë të shkurtër dhe të relaksuar, Mali i Zi tregoi fytyrën e tij evropiane. Qytetarët pa frikë votuan për të preferuarit e tyre dhe thanë pa mëdyshje se duan president të ri”, u shpreh ai Abazoviç.

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi nuk nxorrën një fitues, pasi asnjë nga kandidatët nuk siguroi votat e mjaftueshme që në raundin e parë.

Në raundin e dytë, që do të zhvillohet më 2 prill, presidenti aktual, Milo Gjukanoviç do të sfidohet nga Jakov Milatoviç./abcnews.al