Qytetarët mosbesim tek partitë e reja para zgjedhjeve: Duam të rinj se na hëngrën shpirtin

schedule15:28 - 29 Nëntor, 2020

schedule 15:28 - 29 Nëntor, 2020

Në 25 prill, përveç partive tradicionale, përpara zgjedhësve do të provojnë veten dhe disa subjekte të reja. Ato vijnë më së shumti nga gjiri i Partisë Demokratike, pas përplasjeve apo hatërmbetjeve të disa figurave me Lulzim Bashën.

Por, sa ju besojnë qytetarët? Ky është skaneri i një shkodrani që është rritur pranë familjes së Jozefina Topallit.

“Absolutisht nuk jam dakord. Ajo është ajka e PD, jo më të largohej nga partia në këto momente të vështira. Astrit Patozi, prapë. E bija e Azem Hajdarit i vuri shqelmit babait të vet, gjakut të babait të vet. Murrizi? Kaq vjet në pushtet, deputet. Çfarë duan më këta?”

“Unë do ta them troç, edhe partitë e vjetra edhe ato të rejat, unë nuk i besoj fare sepse ata luftojnë për veten e tyre, sesa për ne popullin,” thotë një tjetër qytetar.

Mosbesimi është i lartë për ata që shohin pas qëllimeve.

“Këto parti nga dolën? Ishin me PD, u përçanë. Ishin me socialistët, u përçanë, gjithsecili mendon për vete.”

Votuesit nuk harrojnë të kujtojnë si kanë përfunduar ata që më parë kanë eksperimentuar me parti përpara zgjedhjeve.

“E formoi Bamir Topi, çfarë fitoi?Asgjë! E formoi Ben Blushi me Mimoza Hafizin, çfarë fitoi? Asgjë!’

Duhen edhe 5 muaj për t’u konfirmuar nëse dyshimet e këtyre qytetarëve janë të drejta, apo garuesit e rinj, do t’i zhgënjejnë të gjithë, duke përmbysur skenën politike. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!