“Qytetarët kanë më shumë besim tek Euro”, Vakaj: Duhet më shumë bashkëpunim për të forcuar Lekun

schedule14:36 - 6 Qershor, 2023

schedule 14:36 - 6 Qershor, 2023

Pavarësisht nismave të Bankës së Shqipërisë për të ulur përdorimin e euros, nuk kanë rezultuar efektive. Sipas Bankës Qendrore, shqiptarët po preferojnë gjithnjë e më shumë euron se monedhën vendase pasi të dhënat flasin për zgjerim të depozitave, kredive por edhe borxhit publik në valutë.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Agjensive të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj, në një intervistë që dha për emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës deklaroi se megjithëse vitet e fundit është treguar se leku është një monedhë e qëndrueshme, qytetarët shqiptarë kanë më shumë besim tek monedha euro.

“Ndoshta është edhe pak psikologjike për shkak të problematikave dhe duke e konsideruar lekun si monedhë jo të qëndrueshme. Vitet e fundit ka treguar se leku ka qenë një monedhë stabël për të ruajtur si vlerën dhe investimet. Nga ana tjetër kemi një paradoks tjetër, si interesat, nëse i sigurojmë në depozita të ardhurat tona në euro janë më të lira se leku por nga ana tjetër edhe kredia ka qenë e shtrenjtë dhe pavarësisht kësaj, siç e thashë lidhet me besimin që qytetarët kanë në qëndrueshmërinë e monedhës në euro.”, tha eksperti.

Ai shtoi se pavarësisht krizës në nivel global, reminitancat kanë qenë në rritje. Sipas tij, kjo vjen për shkak të investimeve të emigrantëve në vend por edhe prej rritjes së numrit të emigrantëve. Një tjetër faktor që ka ndikuar sipas ekspertit është edhe shtimi i numrit të turistëve të huaj në vend.

“Remitancat janë një faktor i rëndësishëm në strukturën të politikës tonë monetare. Pavarëisht krizës në nivel global, remitancat kanë vazhduar në rritje. Kjo është reflektuar edhe nga fakti që kemi pasur në 10 vitet të fundit, rritje të flukseve emigratore që në një farë mënyrë kanë kthyer investimet dhe mbështetjet për familjet. Turizmi ka njohur një rritje të konsiderueshme në vend, numri i atyre që vizitojnë shumë rriten në mënyrë të ndjeshme nga viti në vit deri në 30 përqind. kjo ka sjellë euron në vend por gjithë ky fluks i turistëve ndikon edhe nevojën tonë për të blerë apo furnizuar ekonominë me produkte që blihen në zonën euro.“, theksoi Vakaj.

Vakaj thotë se duhet të ketë më shumë bashkëpunim mes Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve qeveritare për të forcuar lekun.

“Është mirë të merren masat e nevojshme. Kemi një ulje të nivelit të përdorimit të cash-it. Statistikat tregojnë rritje të transaksioneve bankare por nuk ka ardhur thjesht për shkak të vullnetit të mirë por edhe të aksioneve të ndërmarra nga institucionet përkatëse. Fiskalizimi ka pasur një ndikim të ndjeshëm në uljen e transaksioneve në cash ndërmjet bizneseve. Bashkëpunimi Bankë-qeveri do të kishte një ndikim dhe do të reflektohej edhe në largimin apo uljen e përdorimit të euros, e cila ka efektin e mirë por një pjesë përdoruesish por nga ana tjetër përbën risk të shtuar.”, shtoi Vakaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!