Nga Maksi Rama
Sipas një urdhri të komitetit teknik të ekspertëve të shëndetësisë, çdo grumbullim i më shumë se 10 personave është i ndaluar, për të mos favorizuar përhapjen e koronavirusit
Rrezet e ngrohta të diellit dhe dita e pushimit ka bërë që shumë qytetarë të dynden në parqet e qytetit siç është dhe tek parku i Liqenit Artificial, ku qytetarët harrojnë të respektojnë dhe masat anti Covid.
Por në Tiranë, të dielën, sidomos në një ditë të bukur me diell, ky rregull harrohet, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga ata që kanë detyrim ligjor kontrollin e zbatimit të tij.
E gjithë hapësira e Liqenit Artificial këtë të dielë ishte e mbipopulluar me qytetare të ndryshëm, që qëndronin apo ecnin në grupe të mëdha.
Në sheshe e parqe të tjera të kryeqytetit, ka gjithashtu njerëz, të rinj e të moshuar që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit pa u merakosur fare për rrezikun e transmetimit të virusit.
Të tjerë kanë zgjedhur të konsumojnë një pije në kafenetë e tejmbushura të kryeqytetit, duke harruar distancen fizike
Disa qytetare janë të ndërgjegjshëm se masat anti-covid nuk respektohen siç duhet.
“Disa i respektojnë disa të tjerë jo, ja hidh maskat dhe shiko, akoma nuk e besojnë duhet të besojnë ato që e kanë kaluar”, ka thënë një qytetar.
“Ne po ndihemi keq dhe duhet të lëvizim”, shprehet një qytetare.
Ata që e kanë kaluar koronavirusin, apelojnë të tjerët që mos të tregohen neglizhentë
“E kemi kaluar të dy bashkë me bashkëshorten e kaluam në shtëpi, por njerëzit nuk e besojnë. Por duhet ta kalojnë ndryshe nuk e besojnë”, ka thënë një qytetar që ka kaluar Covid.
Nëpër rrugë nuk mungojnë edhe ata që maskën e mbajnë të ulur te mjekra, pa u shqetësuar se shkëmbehen me shumë qytetarë të tjerë
Transporti publik ne Tirane është një hall me vete. Ne autobusë te tejmbushur, me dritare te mbyllura e duke u shtypur me njeri tjetrin, te gjithë udhëtarët janë te rrezikuar te infektohen. Por gjithsesi për shumicën e banoreve, mbetet mënyra e vetme e lëvizjes ne metropol.
Autoritetet shëndetësore vijojnë të apelojnë qytetarët që të shmangin grumbullimet për të minimizuar përhapjen e infeksionit. /abcnews.al