Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Ergis Sefa, menaxher investimesh, u shpreh se tashmë ka ardhur koha që tregjet financiare në Shqipëri të krijojnë një ekosistem tjetër.
“Ka ardhur koha që tregjet financiare në Shqipëri të krijojnë një ekosistem tjetër. Jo vetëm konsumatori por edhe biznesmeni të shikojnë edhe mundësitë e kthimit në investitorë profesionistë. Përveç vendosjes së parave në bankë, duhet të kemi edhe metodën e investimit.
Buxheti i miratuar këtë vit është 8.2 miliardë euro, në bankat tona flenë pothuasje dyfishi i buxhetit të shtetit.
Kemi një bazë të mirë, ne jemi një popull kursimtar, pra shqiptarët kursejnë për një ditë më të vështirë. Imagjinoni sikur ato që munden, të marrin një nivel pak më të lartë risku dhe këto para t’i vendosin në funksion të tregjeve kapitale dhe ta “shpërthejnë” sipërmarrjen. Banka e Shqipërisë mat edhe nivelin e konfidencës së biznesit. Në tre vitet e fundit biznesi ka shprehur se i mungon likuiditeti, pra me kërkesën aktuale që kanë nuk u mjafton”, tha ai.
/abcnews.al/