“Do të shohim në të ardhmen. Ai gjithmonë ka thënë se ëndrra e tij është të luajë me Real Madrid, është shprehur Zinedine Zidane, i ngacmuar për një kalim të Kylian Mbappe te spanjollët. Pas ndeshjes së djeshme, mes Club Brugge dhe PSG, drejtori sportiv i francezëve, brazilianit Leonardo i është përmendur ajo që Zidan ka thënë dhe reagimi i tij ka qenë i qartë.
“Mendoj se nuk është momenti për të folur për këtë temë. Ai është një lojtar që ka edhe dy vite e gjysmë kontratë me, kështu që të flasim për çfarë ai dëshiron, ‘ëndrrën’ e tij, çdo herë, nuk shkon. Nëse mund ta ndalojmë këtë bisedë, le ta bëjmë. Kylian është një lojtar i rëndësishëm për ne. Nuk është koha që ta shpërqendrojmë atë”, është shprehur Leoanardo.
Braziliani gjithashtu ka një përgjigje edhe për Michel Platini, që kritikoi PSG-në dhe sulmuesin. “Nuk është racizëm ajo që ka thënë Platini. Kanë kaluar tetë vite dhe ai thotë të njëjtën gjë. Fjalët e tij në lidhje me Mbappe duken si xhelozi. Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë dhe me siguri do të jetë më i miri në botë. Por siç thotë një proverb francez, është më mirë të keni zili se sa keqardhje”.
ÇFARË THA PLATINI – Legjenda franceze është nga ata të cilët nuk e pëlqejnë shumë futbollin e sotëm, të bazuar në para. Në një intervistë të dhënë për “Franceinfo”, Platini nuk ka kursyer PSG-në, duke vënë në dukje faktin që ata kanë në ekip vetëm një francez. Jo vetëm kaq, por ai thumbon se nuk i ndalon asgjë të quhen edhe Coca Cola. Gjithashtu ai ka kritikuar edhe Mbappe, që sipas tij duhet ta kuptojë që shpejtësia nuk mjafton në futboll dhe duhet që të luajë më shumë me topin dhe t’i përfshijë edhe shokët në lojë.
“Sot ju mund të blesh më të mirët dhe fiton. Futbolli i sotëm është i bazuar te pasuria. Le të marrim PSG-në. Presidenti është nga Katari (Nasser al-Khelaïfi), drejtori sportiv brazilian (Leonardo), trajneri gjerman (Thomas Tuchel) dhe ka vetëm një francez në ekip. Pse quhet PSG? Sepse ka 40 mijë njerëz, një popullsi të madhe që e do klubin e tyre. Në rregull më këtë pjesë. Por mund të quhet edhe Coca-Cola, ose diçka tjetër. Mbappe? Ai do ta kuptojë që shpejtësia nuk është gjithçka. Duhet të luajë pak më shumë me topin dhe t’i bëjë të tjerët që të luajnë”. /abcnews.al