“Qite se ke 2 mln në dorë”, zyrtarët i bëjnë faturën qytetarit: Kaq do drejtori, kaq ne, ik i qetë tashi…

schedule13:24 - 29 Korrik, 2021

schedule 13:24 - 29 Korrik, 2021

Gazetari i “ABC” Ermal Vija ka siguruar dosjen e plotë të përgjimeve nga prokuroria që çoi pas hekurave sekserë dhe zyrtarë të Kadastrës, të cilët përmes ndikimit të paligjshëm ndërhynin për praktika të ndryshme për marrjes e certifikatave të pronësisë.

Gazment Canaj del nga përgjimet se ka qenë i përfshirë në të gjitha rastet e ndërhyrjes në Kadastër përmes Admir Burrit për nxjerrjen e dokumenteve për qytetarë të ndryshëm që zvarriteshin për shkak të burokracisë.

Në një rast nga përgjimet ka rezultuar se Gazment Canaj dhe Admir Burri marrin përsipër nxjerrjen e dokumenteve për Ilir Ahmetajn. Pas aplikimit në Hipotekë, në një moment zyrtari Admir Burri telefonon Gazment Canajn dhe i shpjegon tarifën që duhet të paguajë personi që është i interesuar. “Një pikë pesë i do drejtor- nëndrejtor, 200 specialisti, 100 Adi, 200 euro bori aplikimi, e ke aty bilës, në letër sa bori aplikimi” i thotë ai.

Lexo edhe: “Kam gurin dhe arrën në dorë”, përgjimet si ranë në rrjetë zyrtarët e Kadastrës: “Çun”, mori fund…

Dhe Gazement Canaj i thotë që “mos ke merak, tashi do iki unë”. Për të gjitha lëvizjet në dosje theksohet se prokuroria ka prova nga përgjimet por edhe takimet që kanë zhvilluar palët dhe në 25 maj, Gazment Canaj shprehet në një bisedë telefonike “Lirin e mbyllëm dhe do të shkoj pastaj ti marr të gjitha dhe ti jap në dorë”.

Një tjetër rast të cilin Canaj dhe Burri marrin përsipër është ai i qytetarit Besnik Hyka, i cili në një bisedë telefonike i shqetësuar nga burokracia në Kadastër thotë se “Po si s’po më qisin ja dy letra aty te hipoteka, s’po mi japin, më kërkojnë lekë o vëlla…i ka dhënë lekë dikujt dhe më thotë, jo më kërkon lekë prapë një tjetër”.

Në 4 prill të këtij viti, Gëzim Hyka i ka dërguar një mesazh Gazment Canajt duke i thënë “Gazi ke 2 milionë lekë në dorë, vetëm qit certifikatën e tokës, i kam futur dokumentet”.

Në datë 5 qershor i dërgon një tjetër mesazh Canajt duke i shkruar “O gjigant a ke vu gjo ne vi”.

Në një moment Admir Burri i thotë Gazment Canajt “Atë dyshen që i kam thënë që në fillim, do i morin ata, që pretendojnë shumë fare, a kupto? Ne nga tonat do të respektojmë Panolin (zyrtar i Kadastrës) të tjerat i këna unë dhe ti, ti ca hallin qan, kështu që po hongre ti, ha edhe une po hongra une, ha edhe ti”.

Pas disa bisedave mes palëve, cështja, pra regjistrimi në Kadastër sipas prokurorisë rezulton se është zgjidhur kundrejt ryshfetit./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!