Emisioni VETTING
Në oborret e mbretërive mesjetare të Evropës ekzistonte një personazh i veçantë: gaztori, ose në përkthimin fjalë për fjalë në anglisht: fool-budallai. Gaztori, paguhej nga familja mbretërore, ose edhe nga ndonjë fisnik që kërkonte të kishte marrëdhënie të mira me mbretin.
Lexo edhe: VETTING-“Lule shqipo, lule djalë”
Ky personazh kishte aftësi të veçanta për të argëtuar mbretin dhe të ftuarit e tij me humor dhe batuta. Një përshkrim interesant të tij e gjejmë tek një nga veprat e Shekspirit, ku gaztori përshkruhet si “mjaftueshëm i mençur, sa të luajë budallain”.
Edhe pse dukej si i parëndësishëm, gaztori kishte një rol të rëndësishëm në punët e mbretërisë, madje shpesh, lajmet e këqija ia transmetonin mbretit nëpërmjet tij. Pas periudhës së Rilindjes Evropiane shumë monarki u zëvendësuan me republika, ndërsa të tjerat u transformuan rrënjësisht. Gjatë këtij transformimi humbi edhe roli Gaztorit. Arena politike evropiane dominohej nga idetë moderne të ligjërimit politik. Jemi rreth tre shekuj më vonë, në Shqipëri, zyrtarisht kemi një republikë si formë qeverisje.
Në republikën tonë sheh e dëgjon çdo ditë shaka dhe batuta në podiumet e politikës. Shakatë i gjen në deklaratat e udhëheqësve, me të cilat ushqejnë popullin me humor dhe batuta.
Batuta është një fjalë e huazuar nga italishtja, që në shqip mund të përkthehet përgjigje vetëtimthi ose përgjigje goditëse, si një reagim i shpejtë që përmban fjali me humor, veçanërisht tallje. Nëse dikush duhet të përshkruajë Edi Ramën gjatë 23 viteve aktiv në politikën shqiptare, padyshim ligjërimi politik përmes batutave, është një prej karakteristikave të tij.
Janë me mijëra situata komike të shkaktuara prej tij në përgjigjet që iu jep kundërshtarëve, apo edhe bashkëpunëtorëve. Me shakatë e kryeministrit qeshin shumë të gjithë. Ai di si t’i ftojë në situata komike kundërshtarë e bashkëpunëtorëve edhe kur i tall… dhe ata përsëri qeshin…
Para se të shfaqej në podiumet politike, Edi Rama ishte një publicist i spikatur në Tiranën e viteve 1990-1998. Edhe gjatë përfshijes në politikë, kryesisht në fillime, Edi Rama ka lënë gjurmë të rëndësishme në ligjërimin politik.
Megjithatë u shfaq qysh në fillimet e tij si i ndryshëm nga politikanë të tjerë. Ironia apo batuta e dominon stilin e tij të ligjërimit.
“Kjo lloj teknologjike në fakt ka qenë që në krye, që kur Edi Rama u bë ministër i Kulturës dhe më pas kryetar i bashkisë, ai e ka praktikuar këtë gjë dhe ndoshta batuta e tij e hidhur ose cinike tërhiqte vëmendjen pasi ishte e pazakontë duke e krahasuar me politikanët e tjerë që ishin në Shqipëri. Ai ishte një politikan atipik dhe për vite me radhë ka refuzuar të quhet politikan.
Nëse e vini re ka pasur një kompleks inferioriteti dhe pasi historia përtej të majtës dhe të djathtës është ndërtuar mbi këtë lloj filozofie. Por si cdo gjë që përdoret pa karar dhe tepri bëhet e bezdisur dhe i humbet kontenti. Tani më duket shumë tallava, nga një pjatë franceze që ishte dikur tashmë më duket paçe pilaf” tha Enkel Demi.
Gazetarë dhe ekspertë të komunikimit mendojnë se Edi Rama e ka dominuar diskursin politik në këto 23 vjet, e ka orientuar duke tërhequr pas tij në debatet e përditshme të gjithë elitën politike. Është një ndër aftësitë e tij të dallueshme dhe për këtë, sipas ekspertit të komunikimit Ermal Hasimja janë dy arsye.
Gazetari Alfred Lela beson gjithashtu, se kjo aftësi vjen për shkak të gatishmërisë së publikut për ta pranuar, por edhe të fuqisë së pushtetit të Edi Ramës.
Analisti Neritan Sejamini mendon gjithashtu se Rama është model suksesi në komunikimin politik.
Kryeministri ka qënë shpesh i ftuar në tryezën e gazetarit Enkel Demi. Batutat kanë qënë padyshim pjesë e rëndësishme e këtyre përballjeve.
Mediat janë më të shigjetuarat e kryeministrit. Janë më dhjetra rastet, kur kryeministri ka ironizuar, fyer e vënë në situatë të vështirë gazetarët e mediave në studiot e tyre. Ka edhe raste kur kryeministri nuk lodhet aspak për të gjetur një batutë me nënkuptim, por i fyen drejtpërdrejt…
Por, bojkoti i gazetarëve ndaj Ramës nuk mund të zgjasë. Me qesëndi, ai i sfidon, kur iu thotë në një farë mënyre, se mediat janë të dënuara ta ndjekin në orët e gjata të shfaqjes së tij në ekrane. Sepse thuajse e gjithë dita e kryeministrit është në ekran. Nuk është vetëm aftësia e tij për të prodhuar batuta, por pushteti që i jep karrigia përmes së cilës ai frikëson edhe mediat.
Përkundrejt pushtetit që kryeministri gëzon për shkak të postit, mediokriteti I analistëve është një komoditet që sipas analistit Neritan sejamini, ia bën më të lehtë kryeministrit, fitoren në përballjet të tilla. E megjithatë në media ai ka fushëbetejën më të vështirë. Ka raste kur ia del dhe tërheq në kurth gazetarë e analistë, por ka raste kur dështon.
Gjatë mandatit të parë dhe gjysmës së mandatit të dytë, kur opozita ishte në parlament, kemi parë me dhjetra situata komike tek shkëmbehen ndërmjet liderëve, kryesisht mes Ramës e Berishës…
Ndryshe nga bashkëpunëtore apo kundërshtarë, Edi Rama, luan me emocionet e turmës.
Por në përpjekje të përhershme për protagonizëm, ndodh që kundërshtari e çon në kahun e kundërt. Ka patur raste kur kryeministrin e lëshojnë nervat dhe lëshon shprehje, të cilat ndoshta nuk do t’i kishte artikuluar kurrë në një situatë të kontrolluar.
“Ajo metafora që gjeti, narrativa që krijoi me tepsinë, është brilante. Duhet konsulentë që të punojnë me vite që të gjejnë një gjë kaq brilante, krejtësisht efikase” tha Neritan Sejamini.
Në përgjithësi, batutat e kryeministrit nuk janë të rastësishme. Shpesh janë të paramenduara me qëllim për t’i dhënë një drejtim krejt tjetër debatit politik të ditës. Shpesh kanë qëllim tërheqjen e vëmendjes nga problematikat e ditës, të cilat mund të kthehen në një debat në dëm të tij…
Shënjestra kryesore e shpotive të kryeministrit, është elektorati i tij militant. Rama e ka kuptuar herët, që nëse i ushqen me batuta ata jo vetëm qeshin por nuk të harrojnë. Kështu, turma është e gatshme të harrojë shqetësimet për çështje jetike si buka e fëmijëve në një situatë të vështirë ekonomike që mund të vijë si pasojë e keqqevrisjes. Batutat e kryeministrit mjaftojnë për ta mbushur barkun.
“Që nga Roma e lashtë thuhej, ishte teoria e njerëzve që duan bukë dhe cirk. Edi Rama mund ti ketë lënë pak bukë, por pa cirk jo” tha Lela.
Këtë model të kryeministrit janë përpjekur ta imitojnë edhe vartësit e tij në PS. Sipas gazetarit Enkel Demi, qeverisja përmes batutës nuk është vetëm tendencë e Edi Ramës. Është një strategji komunikimi me qëllim që pjesë të së vërtetës së hidhur me qeverisjen, të vulgarizohen deri sa të kthehen në qesharake.
Shakatë e kryeministrit në situata dramatike, tregojnë gjithashtu, se nëse shakaja teprohet, atëherë kthehet në efektin e kundërt. Është rasti kur një zotëri i traumatizuar nga goditjet e tërmetit të 26 nëntorit, kishte humbur kontaktet me familjen. Kryeministri gjeti batutën që i bëri të gjithë të qeshin, ndërkohë që ato net po numëroheshin viktimat e 26 nëntorit.
E megjithatë, Rama konsiderohet si strategjisti më i mirë i komunikimit në Shqipëri. I bindur se shakatë funksionojnë, Rama ka tentuar ta përdorë këtë strategji edhe përtej kufijve, duke qenë në qendër të vëmendjes në disa takime ndërkombëtare. Kemi parë kancelaren gjermane Angela Merkel tek qeshte, pasi dëgjonte kryeministrin shqiptar që i pëshpëriste diçka në vesh.
I ka bërë të qeshin madje edhe britanikët, të cilët dallohen për satirën e veçantë. Në një samit të NATO-s, kur po diskutohej për Brexit, Rama e nisi fjalimin me batuta që shkaktuan të qeshura tek delegacioni britanik.
I entuziazmuar nga hilariteti që kishte shkaktuar, Rama u përpoq të qasej në vazhdimësi me humor në ambientet diplomatike, por shpejt e kuptoi se nuk do të vazhdonte të funksiononte. E kemi parë kryeministrin tek vërtitej i vetmuar midis liderëve të BE-së, ku askush nuk është në humor. Me sa duket ishin velur nga shakatë, ndërkohë që nuk kishte asgjë serioze për të thënë…
Megjithatë, shakatë e tij vazhdojnë të funksionojë ende në ndonjë vend jashtë Bashkimit Evropian.
Mijëra batuta të kryeministrit në këto tetë vite, i kanë bërë shqiptarët të qeshin, socialistë e demokratë, miq e kundërshtarë politikë. Por përtej humorit të kryeministrit, sheh realitetin e dhimbshëm shqiptar, që s’është për të qeshur.
Gjatë kësaj kohe, kur kryeministri harxhon energjitë për të mbajtur me humor turmën, të gjitha institucionet ndërkombëtare flasin për të dhëna dëshpëruese për demokracinë dhe zhvillimin në Shqipëri.
Nuk është fare për të qeshur kur dëgjon se në shtatë vite të qeverisë së Edi Ramës, korrupsioni qeveritar ka shkaktuar 7,2 miliard euro dëm ekonomik, sipas raportit të KLSH. Nuk është aspak për të qeshur kur lexon raportin e fundit global të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria renditet në 15 vendet më të korruptuara në botë.
Në raportin e fundit të Transparency International evidentohet se për vitin 2020 Shqipëria humbi 7 vende në indeksin e korrupsionit. Në vrojtimin e Bankës Botërore të të bërit biznes në Shqipëri vendi ynë u rendit i 82-ti, duke humbur 19 vende në krahasim me një vit më parë. INSTAT evidenton se nga viti 2011, deri në vitin 2019 kanë emigruar rreth 400 mijë shqiptarë.
A duhet të vazhdojmë të qeshim?