Opozita në Spanjë depozitoi në parlament një mocion mosbesimi për kryeministrin Rajoi dhe qeverinë e tij, ndërsa aleatët e kryeministrit kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Kjo pasi gjykata e lartë në Madrid shpalli fajtorë për korrupsion disa ish anëtarë dhe drejtues të partisë popullore të kryeministrit.
Probleme në horizont për qeverinë spanjolle të drejtuar nga kryeministri konservator Mariano Rajoi. Partia Socialiste e punëtorëve ka depozituar në kongresin e deputetëve një mocion mosbesimi kundër Rajoi një ditë pasi gjykata e lartë në Madrid shpalli fajtore për korrupsion partinë e tij. Ndërkohë që dhe lideri i Podemos Pedro Sanchez është shprehur se do e mbështesë këtë mocion.
Shumë e ashpër është treguar dhe Partia Liberale Siudadanos, aleate e kryeministrit Rajoi, e cila ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në vend por duke paralajmëruar se nuk do e lejojë opozitën socialiste që të vijë në pushtet ndërmjet një mocioni mosbesimi. Siudadanos do i kërkojë kreut të qeverisë që të shpallë zgjedhje të parakohshme javët e ardhshme por nuk do e mbështesë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Kreu i ekzekutivit spanjoll reagoi duke thënë se mocioni në fjalë është një gjë e keqe për Spanjën dhe shkon kundër qëndrueshmërisë së vendit, por i shërben vetëm interesave personal të liderit socialist Pedro Sanchez.
Gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Rajoi shumë i irrituar kritikoi liderin e opozitës duke i thënë se dëshiron të bëjë kryeministrin me çdo kusht, qoftë dhe me mbështetjen e partive sepratiste. Ai theksoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet para përfundimit të mandatit aktual në 2020-ën.
Gjykata në Madrid dënoi me një total prej 351 vitesh burg të akuzuarit për korrupsion, mes të cilëve dhe shumë anëtarë të Partisë Popullore. Gjithsej janë 29 personat e dënuar të shpallur fajtorë për korrupsion, përvetsim dhe riciklim parash, mes tyre dhe ish sekretari i partisë së Rajoi i cili u dënua me 33 vjet burg.
Mocioni i mosbesimit duhet të marrë mbështetjen e plotë të 176 deputetëve në mënyrë që të jetë i vlefshëm. /abcnews.al