Të rinjtë nga 15 deri në 29 vjeç përbëjnë numrin më të lartë të të papunëve në vendin tonë.
Në fund të vitit të shkuar rreth 21.5 % e kësaj moshe sipas Institutit të Statistikave nuk kishin një punë.
Për të nxitur punësimin qeveria ka miratuar skemën e garancisë rinore përmes të nxënit në vendin e punës.
Çdo i ri i kësaj moshe që ka katër muaj pa shkollë apo pa punë sipas vendimit mund të ndjekë një kurs të formimit profesional. Kursi zgjat tre deri në gjashtë muaj dhe pjesëmarrja në gjysmën e parë të tij paguhet me 80% të pagës minimale ndërsa pjesa e mbetur 100%.
Pas përfundimit të kursit i riu punësohët për gjashtë muaj me pagë e pakta sa ajo minimale.
Në rast se kursanti banon më shumë se dy kilometra larg vendit të punës ai do të përfitojë dhe bonus transporti një mijë e gjashtëqind lekë në muaj.
Por për të përfituar nga ky program të rinjtë duhet të jenë të regjistruar prej jo më shumë se katër muajsh në zyrën e punës ndërsa punëdhënësi jo më shumë se gjashtë muaj, të mos ketë detyrime të prapambetura dhe të ketë burime njerëzore dhe infrastrukturë për të mbështetur programin.
Katër ditë të javës të rinjtë pjesëmarrës sipas vendimit të qeverisë duhet të zhvillojnë 32 orë praktike dhe një ditë teori në një prej bizneseve që I ka dërguar Agjencia e Formimit Profesional.
Punëdhënësi ka detyrimin që të caktojë të paktën një instruktor për çdo grup prej pesë personash I cili do të angazhohet 20% më shumë se normalisht dhe do të paguhet. Biznesi për këtë do të rimbursohet nga shteti ashtu si për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të kursantit.
Për të rinjtë nën 18 vjeç vendimi thotë se do të zbatohen kushtet e punësimit në përputhje me rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve në punë.
Kursi i do të mbikqyret nga Agjencia e Formimit Profesional e cila në përfundim tij do të vlerësojë dhe do të pajisë të riun me certifikatë.
Ky program parashikohet të zgjasë pesë vjet dhe të nxisë punësimin e të rinjve të moshës 15 – 29 vjeç./abcnews.al