Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shpreh se për të gjitha ata që thonë se do të ketë një rritje të çmimit të ujit, kjo nuk është e vërtetë. Balluku nënvizoi se do të sigurohet një mbrojtje më e fortë për burimet ujore.
“Të gjithë dalin dhe thonë se qeveria do të rrisë çmimin e ujit, por nuk është e vërtetë. Do të sigurohet mbrojtje më e fortë për burimet ujore. Do të ketë edhe një përshpejtim të zhvillimit teknologjik. Flasim për sigurinë e produktit që shpërndahet në çdo shtëpi. Sigurisht që ne do të kemi edhe një njësi të dedikuar, pjesë e operatorit të prodhimit të ujit e ngritur mbi kërkimin dhe teknologjinë. Asgjë nuk duhet shpikur nga fillimi, sot vende që Zoti nuk i ka bekuar si Shqipëria arrijnë të furnizojnë tregun e tyre 24 orë duke përdorur teknologji…Kjo do të japë mundësi të kemi zhvillime të bazuara me praktika më të mira ndërkombëtare me të gjithë partnerët. Nuk do të jetë e nevojshme që të kemi ndryshime ligjore”, tha ndër të tjera Balluku.
/abcnews.al/

