Qeveria në Maqedoninë e Veriut pret datën e negociatave

schedule15:58 - 8 Qershor, 2019

schedule 15:58 - 8 Qershor, 2019

Ndërsa qeveria e Maqedonisë së Veriut është në pritje të datës për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, opozita kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Fati i shumicës parlamentare në duart e Bashkimit Evropian. Kryeministri Zoran Zaev, thotë se nuk mund të garantoj se shumica do të jetë stabile, nëse vendi nuk merr datë për fillimin e negociatave. Javën e ardhshme, Kryeministri Zaev do të jetë mysafir i kancelares, Merkel, për të cilën kryeministri tha se ka merita të mëdha për Marrëveshjen e Prespës.

Zoran Zaev: Unë besoj se mund të arrihet në qershor ose korrik. Tanimë kam thënë se kjo mund të ndikoj edhe  në stabilitetin e Qeverisë. Porosia ime është shumë e qartë dhe fisnike. Deputetet i kemi siguruar se nëse i kryejmë reformat dhe nëse e zbatojmë Marrëveshjen e Prespës, Evropa do të shpaguaj. Nuk mund të garantoj shumicë parlamentare nëse Evropa nuk na rikthen mundin e bërë.

Derisa pushteti është në kërkim të datës së negociatave, opozita e prerë se vendit i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Naum Stoilkovski: Është koha që Zaevi të largohet dhe ta paguajë çmimin për të gjitha manipulimet dhe rrënimin e Maqedonisë. Zaevi i paaftë të largohet dhe në vend të tij të vijë një qeveri teknike që do të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ndryshe, siç njoftojnë burime nga Brukseli, e që transmetohen në mediat maqedonase, në projekt-konkluzat e Këshillit të ardhshëm të BE-së nuk qëndron data për negociata me Maqedoninë. Projekt-konkluzat që duhet të shqyrtohen në nivel të ekspertëve, ambasadorëve dhe ministrave, nuk janë përfundimtare, por, sic njoftohet, gjasat për konsensus mes vendeve anëtare për caktimin e datës së negociatave, janë minimale./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!