Qeveria merr borxh 700 milionë euro, Buxhuku: Sinjal jo i mirë, ekonomia nuk po performon mirë

schedule21:12 - 25 Tetor, 2021

schedule 21:12 - 25 Tetor, 2021

Komisioni i Ekonomisë vetëm me votat e maxhorancës  i ka dhënë “dritë jeshile” qeverisë për të marrë një tjetër borxh deri në 700 milionë euro. Ministrja e financave Delina Ibrahimaj e justifikoi  marrjen e kësaj huaje me vijimin e investimeve në vend.

Megjithatë, për ekspertin e ekonomisë Gjergj Buxhuku të marrësh borxh nuk është mëkat, por problemi është si përdoret borxhi që merret. Dhe në rastin e vendit tonë, sipas tij, situata është kritike pasi ekonomia nuk po performon mirë.

“Që të marrësh borxh nuk është mëkat, problemi është si e përdor këtë borxh të marrë. Nëse e merr dhe je efektiv edhe ta kthesh, edhe të kesh siguruar një rritje ekonomike. Ti je debitor, ekonomia shqiptare nuk po performon mirë. Detyrimet vazhdojnë për një periudhë të gjatë kohe.”

Për Buxhukun ne kemi dështuar sepse masa e borxhit të marrë është më e vogël në terma asbolutë, sesa është rritur ekonomia.

Por a ka ndikuar vërtet tërmeti dhe pandemia në përkeqësimin e situatës? Sipas ekspertit të ekonomisë po, por problemi sipas tij ka qenë që para se të binte tërmeti.

“Problemi është se nga 2019 e më pas kuptojmë që ekonomia nuk ka ecur mirë. Dhe këto iu mbivunë këtyre. Pa na ndodhur këto fatkeqësi ne nuk kemi performuar mirë. Këto shërbyen si komardare politike që të justifikojnë punën jo të mire të bërë gjatë këtyre viteve.”

I pyetur nga Jonida Shehu në “Radari Informativ” në ABC nëse kanë nisur të ndihen pasojat, Buxhuku tha se ato po ndihen çdo ditë, në pensionet e ulëta dhe largimin e qytetarëve në masë nga vendi.

“Kemi arritur në një pikë kur po ndeshemi me pasojat të problemit sesi funksionon demokracia në Shqipëri. Këtu është problematikë e thellë e mënyrës sesi funksionon demokracia. Kemi jo vetëm faktin që vendimet nuk merren ne trysni pozitive, nuk ka frikë qeveria më. Mënyra sesi është ndërtuar ky sistem ekonomik në vend, në shumë shtylla të tij është tërësisht i gabuar dhe po jep frytet e një fare që është hedhur e hidhur dhe kokrrat do të jenë të hidhura.”

Situata sipas ekspertit të ekonomisë Gjergj Buxhuku nuk duket se do të rregullohet në një të ardhme të afërt.

“Do bëhemi më mirë kur të bëhemi më keq, do të vazhdojmë të mësojmë nga humbjet dhe dështimet në shoqëri.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!