Qeveria mblidhet në Lezhë

schedule19:30 - 12 Janar, 2018

schedule 19:30 - 12 Janar, 2018

Edi Rama mblodhi Qeverinë në Lezhë, ku tha se gjeti shembuj frymëzues për të miratuar një vendim të Këshillit të Ministrave që synon të stimulojë agroturizmin. Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një kornizë ligjore që vendos standarde për këtë veprimtari.

Edi Rama: “Të gjitha subjektet që do të klasifikohen si agroturizëm Brenda kësaj kornize të miratuar sot do të pajisen me një certifikatë të posaçme nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe pastaj do të kenë akses në financime. Në javët në vijim ne do të miratojmë edhe programin përkatës të incentivave fiskalë”.

Pas konsultimeve me të gjithë kryetarët e bashkive, gjatë mbledhjes në Lezhë, Qeveria miratoi edhe listën me 100 fshatra, ku do të nisë projekti i zhvillimit të integruar rural.

Edi Rama:Fishta është një prej këtyre 100 fshatrave të ndryshme të këtij procesi të zhvillimit rural që do të mbështetet me një program të veçantë nga qeveria dhe ky model ka të bëjë me infrastrukturën me diversitersifikimin e ekonomisë, me zhvillimin e kapitalit social”.

Përsa i përket infrastrukturës, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për rrugën kombëtare Milot-Balldren, pjesë e programit 1 miliard për rindërtim, aksin e ri Shëngjin-Velipojë, rindërtimin e terminalit të pasagjerëve dhe të hyrjes në Portin e Shëngjinit, si dhe rrugën e Torovicës. Për këtë të fundit, Kryeministri u prit me protesta në nisje të mbledhjes së Qeverisë, të cilat i konsideroi si të porositura.

Edi Rama: “Më vjen shumë mirë që më në fund, ata që e kishin pas marrë këtë për sipër për ta bërë këtë rrugë po interesohen duke stimuluar protesta dhe i përshëndes sepse kjo do të thotë që pavarësisht se kur e kishin në dorë ta bënin rrugën, i bënë asaj atë që s’thuhet, tani duan që rrugën ta bëjnë përmes nesh. I përshëndes.”

Prej disa muajsh qeveris vetëm dhe gazetarët vendas e pyetën Ramën mbi integritetin e drejtorëve të rinj që ka caktuar në Lezhë. Tani që nuk i ka më aleatët, Kryeministri pranoi se ka hasur në vështirësi edhe brenda partisë së vet.

Edi Rama: “Vendosmëria ime për t’i shkuar deri në fund procesit të çuarjes së tepsisë për skrap është më e madhe se ç’ishte kur jam zotuar për këtë dhe do të jetë çdo ditë dhe më e madhe pasi vështirësia në këtë process nuk është çdo ditë e më e vogël por çdo ditë e më e madhe. Patjetër nuk është diçka që mund të ndryshojë nga sot nesër sa hap e mbyll sytë dhe nuk është diçka që lidhe me emrin e partisë. E kam thënë më parë e them dhe sot. S’është çështje partie”.

Qeveria miratoi edhe bonusin deri në 2.5 milionë lekë të vjetra mbi rrogën, për mjekët që duan të shkojnë të punojnë në spitalet rajonale dhe lokale./abcnews.al