“Qeveria Kurti e ka humbur legjitimitetin”, Haziri: Veriu rrezikon të vendoset në administrim ushtarak për shkak të sjelljeve të saj

schedule16:53 - 19 Shtator, 2023

schedule 16:53 - 19 Shtator, 2023

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, gjatë intervistës për “Ballkan Update” theksoi se veriu i Kosovës rrezikon që të vendoset në një administrim ushtarak dhe civil për shkak të sjelljes së qeverisë Kurti. Ai tha se qeveria e ka humbur legjitimitetin, dhe kjo sipas tij, dëshmohet edhe me shtimin e forcave të KFOR-it.

“Qeveria që po sillet në këtë formë, tregon qartë se nuk ka asnjë plan se si të dilet nga kjo situatë. Nuk kemi axhendë në mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat e veriut, nuk kemi plan detaj për përfundimin e bojkotit të serbëve në këto komuna, nuk kemi mënyrë se si të menaxhojmë situatat eventuale në rrethanat e përkeqësimit, dhe në anën tjetër kemi rritjen e KFOR-it.

Kanë marrë autorizime të reja pa pyetur askënd dhe krahas ushtrimit të detyrave në siguri, zëvendësojnë edhe rolin e policisë speciale në rrethana që mund të përkeqësohen. Praktikisht as zoti Kurti dhe ministrat e tij nuk mund të shkojnë në asnjë komunë në veri pa lejen e KFOR-it.

Dhe në emër të sovranitetit, ata kanë humbur një lloj legjitimiteti për ushtrimin e detyrave të rregullta ditore si përfaqësues të ekzekutivit.  Rreziku më i madh është që ai vend potencialisht të vendoset në një administrim ushtarak dhe civil dhe të shkëputet roli i qeverisë së Kosovës sepse nervozizmi i djeshëm i Kurtit, paqartësia e tij dhe mënyra se si gjen fajtor në Bruksel për mossuksesin në bisedime tregon qartë që po e përkeqëson krejt rolin tonë në ushtrimin e sovranitetit në këto katër komuna në veri të Kosovës.”, theksoi Haziri./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!