Kandidatja për deputete e LDK, Mirlinda Krasniqi dhe Artan Behrami, kandidat për deputet i PDK folën për programin e tyre politik në një intervistë që dhanë për emisionin “Ballkan Update” në ABC News. Mirlinda tha se fokusi do të jetë te investimet, buxheti si dhe përfshirja e të rinjve dhe grave në vendimmarrje.
Behrami u shpreh se motivi personal që e ka bërë të kandidojë për deputet është ajo që po ndodh me ish krerët e UÇK-së në gjykatën e Hagës, të cilën e cilësoi si një gjykatë ‘fashiste’. Ai premtoi se do të bëjnë rishikim të ligjit për dhomat e specializuara në Hagë.
“Ne i përjetojmë çdo ditë gabimet dhe sfidat. Kemi mungesë të planeve efektive në sektorët privat. Në vitin 2025, kemi problem me furnizimin energjetik. Kemi rritje të çmimeve të energjisë, të produkteve në mënyrë drastike. Qeveria ofron 100 euro disa sektorëve për lemoshë. Ne kemi nevojë vetëm për zgjidhje të përhershme. Na ka prishur punë me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Asnjë projekt nuk është realizuar gjatë 4 viteve. Numri i qytetarëve që po lënë vendin është rritur. Ne do t’i ndërtojmë prej fillimit dhe kemi me ndërruar të gjithë sistemin.”, u shpreh Krasniqi.
“Ne në këto 4 vite jemi përballur me qeveri arrogante dhe nëse ka diçka që shqiptarët kudo që janë e kundërshtojnë dhe votojnë kundër është kundër arrogancës. Kemi një kryeministër sinonim të arrogancës dhe PDK e ka një program, lider dhe vizion me të cilin do të dalë partia e parë në këto zgjedhje. Populizmi që ka mbjellë Kurti ka filluar të përthahet”, shtoi Behrami.
Të pyetur për një koalicion mes PDK dhe LDK, ata nuk e përjashtuan mundësinë.
“Përjashtoj koalicionin me VV dhe si deputet do të votoj kundër çdo tentative me LVV. PDK dhe lideri i saj ka bërë të qartë se PDK parapëlqen koalicione me parti shtetformuese, që kanë ndihmuar në liri, pavarësi dhe shtetndërtimin e Kosovës. Parapëlqejmë koalicione me parti opozitare por jo me VV. Do të përmbysin rezultatin, ne do të krijojmë qeverinë edhe me partitë e tjera të opozitës.”, tha Behrami.
“Unë jam e re në politikë. Sidoqoftë jam 4 vite asambliste. Jemi opozitë goxha e fortë. Jam pro çdo bashkimi tjetër me opozitën përveç LVV. Nuk jemi pro të keqes”, shtoi Mirlinda./abcnews.al