Qeveria i kërkon bizneseve të japin para për të përballuar dëmet e tërmetit

schedule12:34 - 30 Nëntor, 2019

schedule 12:34 - 30 Nëntor, 2019

Ministria e Financave i ka kërkuar bizneseve që të kontribuojnë me të holla në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Përmes një njoftimi, ministria thekson se është miratuar një Akt Normativ përmes të cilit bizneseve që do të ndihmojnë ato do t’i njihen si shpenzime të zbritshme.

“Shpenzimet e zbritshme në masën 8%, nga 3% që është aktualisht, do të mund të përfitohen vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave. Gjithashtu me rëndësi të theksohet se ky akt vlen edhe për donacionet për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” të bëra në formën e pasurive të paluajtshme”, thekson ministria.

Njoftimi i plotë

Nisur nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga tërmeti i datës 26 Nëntorit, në ndihmë të familjeve të dëmtuara, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxit të gjitha bizneset që të kontribuojnë për nismën “Shqipëria Solidare” me qëllim lehtësimin e pasojave nga ky tërmet tragjik.

Për këtë qëllim Ministria e Financave ka përgatitur Aktin Normativ sipas së cilit do të rritet nga 3% në 8% e fitimit të tatueshëm, njohja si shpenzim i zbritshëm i donacioneve në mjete monetare, të bëra nga bizneset. Kjo incentivë në shërbim të angazhimit tonë ekonomikisht solidar do të vlejë për periudhën e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar në legjislacion.

Shpenzimet e zbritshme në masën 8%, nga 3% që është aktualisht, do të mund të përfitohen vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave.

Gjithashtu me rëndësi të theksohet se ky akt vlen edhe për donacionet për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” të bëra në formën e pasurive të paluajtshme.

Thirrjes së Qeverisë për kontribute për tërmetin përmes platformës online e-Albania/dhuro, i janë bashkuar shumë biznese nga brenda dhe jashtë vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!