Qytetarët grekë nga dita e sotme do të kenë mundësinë të blejnë në raftet e supermarketeve 3000 produkte me çmime më të ulëta.
Në kuadër të masave të Ministrisë së Zhvillimit për ti bërë ballë inflacionit të rritur frikshëm, shporta e ushqimeve bazë për konsumatorin do të jetë deri në 30% më e lirë.
Në bazë të rregullave të Ministrisë së Zhvillimit, produktet do të kenë shënimin që tregon se janë me një datë skadence shumë të afërt dhe është përcaktuar periudha e saktë kohore para kësaj date, ku lejohet shitja e stokut në një çmim më të ulët, ndërsa në të njëjtën kohë parandalohet shpërdorimi i ushqimit.
Sipas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis qeveria pret ulje të mëtejshme të çmimeve ndërsa me masat e saj synon të vendosë çmime edhe më të përballueshme.
Paraditen e së premtes, ministri i Zhvillimit, Kostas Skrekas, ka kryer kontrolle në supermarkete, duke sqaruar se “çmimet në rafte janë ulur me 15%” për produkte që ai kishte parë.
Në listën e çmimeve të ulura përveç shportës së ushqimeve bazë janë përfshirë edhe shtatë kategori produktesh që përfshijnë pelenat për fëmijë, shampot, pastat e dhëmbëve, detergjentët e rrobave dhe të enëve, sapunët dhe të gjitha llojet e pastruesve.
/abcnews.al