Qeveria greke ka hartuar një buxhet të lehtësuar nga taksat dhe që shmang shkurtimin e pensioneve. Por teksa kreditorët shprehen skeptikë se Athina mund të arrijë objektivat e saj pa masa shtrënguese, manovra konsiderohet një taktikë e kryeministrit Tsipras për të fituar mbështetje popullore për zgjedhjet e ardhshme.
Qeveria në Greqi publikoi të hënën projekt buxhetin e vitit të ardhshëm, që do të ketë si prioritet rritjen e suficitit përtej kuotës së rënë dakord me kreditorët ndërkombëtarë dhe rritjen e ekonomisë në 2.5 për qind.
Bëhet fjalë për buxhetin e parë që vendi harton që pas daljes nga programi i ndihmave e që mes të tjerash ka si synim edhe shmangien e shkurtimit të pensioneve, siç është kërkuar nga huadhënësit.
Qeveria greke synon që sufici buxhetor të arrijë deri në 4.14 për qind të GDP-së vitin e ardhshëm, por nëse nuk bën shkurtimet e pensioneve, atëherë objektivi ka pak shanse të arrihet dhe mund të ndalet në 3.5 për qind, sa ç’është rënë dakord me ndërkombëtarët.
I ndodhur pas opozitës në sondazhe, presidenti Tsipras është fokusuar në një buxhet më pak shtrëngues, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e votuesve në zgjedhjet parlamentare.
“Lehtësimi i barrës së taksave dhe ulja e kontributeve për sigurimet shoqërore nuk do të ishin të mundura pa performancën fiskale të tre viteve të fundit, fryt i sakrificave të qytetarëve grekë”, thotë drafti qeveritar.
Kryeministri Aleksis Tsipras ka deklaruar se hapësira fiskale për të bërë një manovër të tillë ekziston. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzanakopulos ka deklaruar të hënën se bisedimet me Komisionin Europian për të shmangur shkurtimin e pensioneve janë në rrugën e duhur. Athina doli nga programi ndërkombëtar i ndihmave në gusht./abcnews.al