Qeveria, gati planin: E paguan më shtrenjtë kush harxhon më shumë se 700 kWh në muaj

schedule13:00 - 13 Prill, 2022

schedule 13:00 - 13 Prill, 2022

Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe më herët kryeministri Rama, qeveria duket se e ka gati planin për t’ia shitur më shtrenjtë energjinë elektrike familjeve që harxhojnë më shumë se 700 kW/h në muaj.

Ministrja Belinda Balluku bëri sot publike detaje nga plani i qeverisë duke theksuar se çdo konsum mbi 700 kW/h është jo normal dhe duhet paguar më shtrenjtë.

“Nuk i ndajmë dot në të pasur e të varfër, por përdorues me sasi të mëdha të kilovatorëve. Ne jemi në përfundim të një analize e studimi që tregon sesa i duhen një familjeje për të pasur një konsum normal. Duke pasur analizën se cila konsiderohet sasi normale çdo kilovat/orë do të faturohet pa subvencione nga qeveria.

Të gjitha analizat na çojnë në fashën 700 kilovat/orë që konsiderohet një konsum normal për një familje me 4-5 anëtarë. Mbi këtë fashë do të paguhet me çmim më të lartë. Ne nuk i ndalojmë dot qytetarët që të ndriçojnë”, tha Balluku, pas mbledhjes së qeverisë, kur u pyet në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Kongres për çmimin e energjisë.

Ndërkohë, ajo njoftoi sot hapjen e procesit të  kalkulimit për ofruesit e shërbimit të transportit publik qytetas dhe ndërqytetas të cilët do të kompensohen me 100 lekë për litër, si pjesë e rezistencës për rritjen e çmimeve.

“Sot i kemi dhënë rrugë hapjes së mënyrë së kalkulimit për ofruesit e shërbimit të transportit urban që do të kompensohen me 100 lekë për litër. Nuk do t’i lejojmë subjektet të kenë ndryshim në rritje të çmimeve të biletës, pasi do i kompensojmë.  I kemi dhënë rrugë hapjes së mënyrës së kalkulimit për të gjitha njësitë që janë në këtë proces. Do të shpenzohen gjatë muajit prill dhe maj. 98% e transportit në Shqipëri kryhet përmes rrugës dh epo mundohemi të ruajmë çmimin e biletës që mos të ketë një ndryshim. Po punojmë për përmirësimin e flotës apo për të pasur dhe një flokë të re”, tha Balluku. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!