Qeveria e re italiane/ Salvini: Ose pjesë e qeverisë, ose zgjedhje të reja

schedule10:33 - 29 Mars, 2018

schedule 10:33 - 29 Mars, 2018

Konsultimet për krijimin e qeverisë së re italiane do të nisin në 4 prill pas festës së Pashkëve, ndërkohë lideri i Legës Salvini dhe ai lëvizjes me Pesë Yje vijojnë debatet në profilet e tyre në Tuiter duke kërcënuar se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.

Përgjigje dhe kundërpërgjigje për sa i përket postit të Kryeministrit të ri të Italisë mes Matteo Salvinit e Luigi Di Maios. Lideri i Legës ka pohuar se nuk do të jetë asnjëherë ministër i Di Maios, dhe se nëse nuk do të jetë pjesë e qeverisë atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja. Më tej Salvini sfidoi kandidatin e lëvizjes me Pesë Yje për Kryeministër, duke thënë se ishte kurioz se ku do i gjente 90 votat që i duhen për krijimin e qeverisë. Di Maio nga ana e tij reagoi duke thënë se Salvini do të mund të bëjë një qeveri vetëm nëse i kërkon parisë demokratike 50 votat e saj. Konsultimet për krijimin e qeverisë së re italiane do të nisin në 4 prill.

Por dhe Partia Demokratike ka ndërhyrë në këtë debat mes liderit të Legës dhe atij të Lëvizjes me Pesë Yje, që u zhvillua me anë të postimeve në profilet përkatëse në Tuiter. Orfini, kryetar i demokratëve u shpreh se ata duhet të rrinë të qetë, pasi Partia Demokrate ka zgjedhur të qëndrojë në opozitë.

Mateo Salvini nga ana e tij këmbëngul për faktin se qendra e djathtë ka marrë më shumë vota dhe për këtë arsye i takon asaj të krijojë qeverinë e për pasojë të ketë dhe kryeministrinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!