Mijëra shqiptarë vërshuan në sheshin ‘Skënderbej’ në një protestë në mbështetje të ish krerëve të UÇK që ndodhen në paraburgimin e Hagës, nën akuza të padrejta.
Analisti Frrok Çupi tha për edicionin informativ se kjo protestë tregoi se vendi ynë mbështet të drejtën, është i unifikuar dhe dëshmoi vendosmërinë për tu radhitur drejt BE dhe Perëndimit.
“ Mesazhi që përcillet ka një peshë shumë të madhe. Ka peshën e së drejtës, është shumë e rëndësishme dhe qytetëruese. Është një manifestim pro shtet.
E dyta, ka një peshë shumë të madhe sepse e tregon kombin shqiptar të unifikuar dhe orientimin e kanë për nga perëndimi.
Së treti tregon se kombi ynë është i vendosur të radhitet drejt BE dhe Uashingtonit dhe kjo gjë nis që nga Tirana, kandidate e rëndësishme për në BE. Për mua është mision i madh që hedh poshtë maskat e patriotëve dhe poshtërimit që i është bërë vendit tonë duke e konsideruar të egër.”
Më tej, Çupi komentoi edhe mosprezencën e përfaqësuesve të politikës së shtetit të Kosovës duke thënë se qeveria aktuale nuk ekziston dhe duhet të japi dorëheqjen.
“Qeverisja e Kosovës rron nën frikën e çlirimtarëve. Të kesh frikë nga themelet e shtetit tregon se je jashtë. Qeveria e Kosovës duhet të jap dorëheqjen. Është dëshmuar prej kohësh se qeveria që po flasim nuk ka lidhje me moralin e luftës, fitores dhe varreve të dëshmorëve. Kjo qeveri nuk ekziston. Gjatë gjithë kohës kanë qenë bashkëpunëtor të pushtuesit. Kosova dhe shqiptaria qenka e fuqishme. Që nga 1920 dhe kohët e egra është tradhtuar mijëra herë dhe ka rezistuar.” / abcnews.al /



