Qeveria dhe ekspertët rrëzojnë nismën e PD: Ulja e TVSH-së çmenduri, fitojnë të pasurit

schedule12:54 - 26 Tetor, 2021

schedule 12:54 - 26 Tetor, 2021

Partia Demokratike ditën e sotme depozitoi në Kuvend kërkesën për uljen e TVSH-së për produktet e shportës nga 20 në 6% me qëllim ndihmën e familjeve në nevojë me argumentin e krizës. Nga shumica socialiste është paralajmëruar se një nismë e tillë do të rrëzohet.

Qeverisë i japin të drejtë edhe një pjesë e ekspertëve. Të ftuar në studion e “ABC LIVE”, ekspertët Selami Xhepa dhe Arben Shkodra shprehen se ulja e çmimit të TVSH-së nuk do të ndikonte te çmimi final te konsumatori.

Çdo politikë tatimore përjashtuese sidomos te TVSH-ja jo vetëm që është kundër produktive, por tatimet indirekte mund të përkthehen në fitime më të mëdha për tregtarët. Kjo është një histori e vërtetuar. Sa kohë që çmimet formohen nga forcat e tregut. Nëse kjo masë do të merrej për energjinë apo ujin do të shkonte drejtpërdrejtë në xhepin e qytetarëve. Prandaj unë mendoj se kjo nuk është një politikë e duhur. TVSH-ja nuk e ka efektin final te konsumatori” tha Xhepa.

Por kush përfiton më shumë nga ulja e TVSH-së? “Të pasurit blejnë ushqime dhe konsumojnë më shumë. Atëherë përse do të jua heqësh TVSH-në? Keni dëgjuar ndonjë vend në Europë që do të thotë do të ul TVSH-në, jo. Nëse ne minojmë financat nga arkëtimet nuk mund ti mbajmë borxhe. Janë 800 mln euro që shteti humbet nga kjo politikë. Është koha t’u japim fund këtyre çmendurive” tha Selami Xhepa.

Ulja e TVSH-së nuk çon në uljen e çmimeve. Shteti ka në dorë një instrument, të hap konkurrencën, krijimi i disa operatorëve do ta çonte drejt një ulje për shkak të konkurrencës. Konjektura botërore nuk na ndihmon, nga bursa te lëndët e para. Kemi një presion të madh nga importi” u shpreh Arben Shkodra.

Në të njëjtën linjë me ekspertët ishte edhe zv/ ministri i Ekonomisë dhe Financave, Besart Kadia që e kundërshtoi nismën duke e cilësuar populiste. “Ndryshimi i TVSH-së jo detyrimisht përkthehet në çmime më të ulëta për qytetarët. Më duket e panevojshme qasja e opozitës, sikur produktet ushqimore janë rritur vetëm në Shqipëri. E bëjmë TVSH-së zero, po nëse dyfishohet çmimi i grurit, cfarë do të ndodhë në Shqipëri? Kjo është e ndikuar nga tregjet ndërkombëtare” tha ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!