Qeveri “presidenciale”, Carlo Cottarelli pranon mandatin

schedule12:57 - 28 Maj, 2018

schedule 12:57 - 28 Maj, 2018

Carlo Cottarelli ka pranuar mandatin nga presidenti Serxho Matarela për të formuar një qeveri kalimtare në Itali. Ai ka njoftuar se nëse nuk do të marrë votëbesimin në parlament, vendi do të shkojë në zgjedhje në muajin shtator.

Carlo Cottarelli, ekonomist dhe komisar në rishikimin e shpenzimeve në 2013 në qeverinë e Enriko Letës, është ngarkuar nga presidenti Italian Sergio Matarella për të formuar qeverinë e re. Ekonimisti e ka pranuar detyrën e rëndësishme por me rezerva. Pas pranimit të mandatit, Cottarelli nënvizoi se nëse nuk merr votëbesimin në parlament, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Kam shumë pak kohë për ekipin, por nëse marr votëbesim do të qëndroj në detyrë deri në fillim të 2019-s. Në të kundërt do të ketë zgjedhje në Shtator”, u shpreh ai.

Cottarelli tashmë duhet të formojë sa më parë një ekzekutiv presidencial me emra gjithëpërfshirës. Megjithatë shumë parti kanë njoftuar se do të votojnë kundër qeverisë së tranzicionit.

“Falë Matarella-s po rikthehet Partia Demokratike e refuzuar nga italianët”.

Këto janë fjalët e para të Mateo Salvinit menjëherë pasi Carlo Cottarelli pranoi detyrën e formimit të qeverisë së re, ndërsa më tej sulmon.

“Kjo nuk është demokraci, nuk është respekt ndaj votës popullore. Është vetëm kërkesë e fuqive të forta që dëshirojnë një Itali skllave, të frikësuar dhe të dobët”.  

Ndërkohë, këto zhvillime vijnë pasi i mandatuari i parë, Giussepe Conte, nga koalicioni Lega Nord dhe Lëvizja 5 Yjet nuk arriti të formojë një ekzekutiv brenda kohës së caktuar. Ai dorëzoi mandatin pasi Matarella i refuzoi ministrin e Ekonomisë. Këtë veprim Lëvizja 5 Yjet e konsideron si tradhëti kombëtare dhe kërkon shkarkimin e kreut të shtetit./abcnews.al